×
  • Lajme
  • Botë / Mesazhet nacionaliste

    Putini shfaq planet për Rusinë e Madhe në fjalimin e fitores

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 23:31
    Mijëra rusë janë tubuar në Sheshin e Kuq të Moskës për të ndjekur fjalimin e Putinit për Rusinë e Madhe

    Dëgjohej balada e tij e preferuar nacionaliste që u bënte thirrje rusëve: “Mëmëdheu po thërret. Mos e zhgënjeni”. Pastaj bendi i tij luante këngën për sakrificat në kohë lufte. Dhe pastaj ai hyri në skenë, nën banerin që festonte 10-vjetorin e pushtimit të Krimesë në Ukrainë, për t’ua përkujtuar mijëra rusëve të tubuar në Sheshin e Kuq se lufta e tij për t’i bashkuar territore Rusisë nuk kishte marrë fund.

    Presidenti Vladimir Putin, një ditë pasi shpalli fitoren në zgjedhjet sa për sy e faqe, sinjalizoi të hënën se lufta kundër Ukrainës do të vazhdojë të dominojë regjimin e tij dhe bërë thirrje për unitet që do ta kthente popullin e lindjes së Ukrainës “në shtëpinë e vet”, shkruan gazeta amerikane “New York Times”.

    “Do të ecim bashkë, dorëpërdore”, ka thënë Putini, duke shpalosur edhe planet për rikthimin e linjës hekurudhore që shpejtë do të lidhë Krimenë me territoret e marra nga Ukraina. “Dhe kjo është fiks ajo që do të na bëj më të fuqishëm – nuk janë fjalët, por veprat”.

    Shfaqja e ngjyrimeve nacionaliste u realizua pas tre ditësh zgjedhje, të cilat ngjallën krahasime mes Rusisë së Putinit dhe diktaturat tjera autoritare. Të dielën mbrëma, televizionet shtetërore deklaruan se ai kishte fituar me më shumë se 87 për qind të votave, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Duke fshehur natyrën e rrejshme të zgjedhjeve, Putini solli në skenë tre garuesit këlyshë që Kremlini i kishte zgjedhur për të garuar kundër tij. Secilit ua dha mundësinë që të flisnin. U tha se kishin qasje të ndryshme në garë, por se “kanë një mëmëdhe”.

    Kandidati komunist që përfundoi garën me 4 për qind të votave, lavdëroi Putinin që e solli Krimenë në shtëpi.

    Ai tha se Krimea përgjithmonë do të jetë pjesë e Rusisë. “Për Rusinë, për të ardhmen tonë të madhe dhe për presidentin e Rusisë së madhe”.

    Kandidati i fundit, nga Partia e Re e Popullit, tha se kurrë nuk do të harronte ditën se sa krenar ishte ndier për Putinin kur ai aneksoi Krimenë në vitin 2014.

    “Urime festa”, bërtiti Putini. “Rroftë gjatë Rusia”.

    Festa e orkestruar për ishte përkrahje për Putinin. U shfaq gjatë tërë kohës në televizionin shtetëror. Tubimi ishte i menduar që të përçonte mesazhin se përkrahja për liderin rus ishte gjë patriotike për ta bërë.

    Para pushtimit të Ukrainës, politologët që studiuan Rusinë gjetën se perceptimi për popullaritetin e Putinit ndihmoi në përkrahjen e tij dhe e mbajti atë në pushtet. Shumë rusë kishin mendimet se të gjithë përreth tyre po e përkrahnin liderin rus.

    “Njerëzve u pëlqen të ecin me turmën”, thotë Noah Buckley, profesor i shkencave politike në Trinity College në Dublin. “Njerëzve u pëlqen të jenë në anën fituese”.

    Ky lloj i përkrahjes mund të bjerë me shpejtësi nëse perceptimi i realitetit shembet. “Mirëpo nuk mund të parashikoj nëse kjo mund të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve ose së shpejti”, thotë Buckley./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!