×
  • Lajme
  • Botë / Lufta ruse

    Rusia fajëson SHBA-në sulmin në Krime, paralajmëron hakmarrje

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 19:15

    Rusia ka fajësuar SHBA-në dhe ka paralajmëruar  për pasoja për sulmin me raketa nga Ukraina në Sevastopol në Krimenë e pushtuar, shkruan BBC.

    Gjatë këtij sulmi u vranë katër persona – përfshirë dy fëmijë. Rreth 150 persona të tjerë u plagosën në sulm pasi copat e raketave ranë në plazhin afër, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ministria e mbrojtjes së Rusisë tha se raketat e përdorura nga Ukraina ishin raketa ATACMS të dhuruara nga SHBA-ja dhe pretendoi se ato ishin programuar nga specialistë amerikanë.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti sulmin “barbar” dhe akuzoi SHBA-në për “vrasjen e fëmijëve rusë”. Ai përmendi komentet e presidentit Vladimir Putin, i cili kohët e fundit kishte premtuar të shënjestronte vendet që furnizojnë Ukrainën me armë.

    Moska ka deklaruar se vdekjet dhe plagosjet e së dielës u shkaktuan nga mbetjet e raketave që ranë pasi u shkatërruan nga mbrojtja ajrore e Rusisë.

    Ministria e mbrojtjes së Rusisë pretendoi të dielën se të gjitha raketat ATACMS janë programuar nga specialistë amerikanë dhe drejtohen nga satelitët amerikanë. SHBA-ja ka qenë duke e furnizuar Ukrainën me raketa ATACMS për më shumë se një vit. Sistemi lejon forcat ukrainase të godasin objektiva deri në 300 km larg, sipas prodhuesit Lockheed Martin.

    Moska aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014 dhe vetëm një numër i vogël vendesh e njohin gadishullin si territor rus. Prandaj, nuk bie nën kërkesat e SHBA-së që Ukraina të përmbahet nga përdorimi i armëve të furnizuara nga Uashingtoni për të goditur territorin rus. Por zëdhënësi Peskov u tha gazetarëve në Moskë të hënën se “përfshirja e Shteteve të Bashkuara, përfshirja e drejtpërdrejtë, si rezultat i së cilës vriten civilë rusë, nuk mund të jetë pa pasoja”. “Koha do të tregojë se cilat do të jenë ato,” shtoi ai.

    Ministria e jashtme ruse thirri ambasadoren amerikane Lynne Tracy të hënën, përpara se të lëshonte deklaratën ku akuzonte SHBA-në për përfshirje në një “mizori” dhe premtonte se kjo nuk do të mbetej pa u ndëshkuar.

    Moska vazhdimisht ka kërcënuar se do të shënjestronte vendet që furnizojnë me armë Ukrainën, duke pretenduar se ato janë objektiva legjitime ushtarake.

    “Ne e shohim shumë mirë se kush qëndron pas kësaj,” tha Peskov të hënën. “[Putin] javën e kaluar foli për atë se kush po synon këto raketa absolutisht teknologjikisht komplekse drejt objektivave, kush po ofron këto lëshime. Këta nuk janë ukrainas.”

    Në fillim të këtij muaji, Putin rinovoi kërcënimin gjatë një takimi me agjenci ndërkombëtare të lajmeve. “Nëse dikush mendon se është e mundur të furnizohen armë të tilla në një zonë lufte për të sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse të mos kemi të drejtën të furnizojmë armë të të njëjtës klasë në rajone të botës ku do të ketë sulme mbi objektiva të ndjeshme të atyre (vendeve Perëndimore)?” tha ai. “Domethënë, përgjigjja mund të jetë asimetrike. Ne do të mendojmë për këtë,” shtoi ai.

    Zyrtarët ukrainas kanë mbrojtur sulmin, duke e quajtur Krimenë një objektiv legjitim. Mykhailo Podolyak – ndihmës i lartë i presidentit Volodymyr Zelensky – tha se gadishulli ishte në fakt “një kamp i madh ushtarak” që mbante “qindra objektiva të drejtpërdrejta ushtarake, të cilat rusët po përpiqen t’i fshehin dhe t’i mbulojnë me civilët e tyre.”

    Misioni i monitorimit të të drejtave të njeriut i OKB-së në Ukrainë thotë se të paktën 10,000 civilë janë vrarë që kur Rusia pushtoi në shkurt 2022. Shifra reale, thonë zyrtarët, është shumë më e lartë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!