Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, foli sot para gazetarëve në Nju Jork, ku bëri thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës dhe ndërprerje të luftimeve nga të gjitha palët.
“Jemi në prag të një lufte më të gjerë që mund të përfshijë gjithë Lindjen e Mesme, me pasoja të rënda në mbarë botën,” tha ai.
Ai përmendi edhe rritjen e kostove, duke theksuar se njerëzit tashmë po përballen me çmime gjithnjë e më të larta të energjisë dhe ushqimeve.
“Kur ngushtica e Hormuzit bllokohet, më të varfrit dhe më të pambrojturit në botë janë ata që e pësojnë më së shumti,” u shpreh ai.
Guterres bëri thirrje që mosmarrëveshjet të zgjidhen “në mënyrë paqësore” dhe theksoi se infrastruktura civile, “përfshirë edhe instalimet bërthamore”, duhet të “respektohet dhe të mbrohet”.
Ai shtoi më tej: “Mesazhi im është i qartë: për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ka ardhur koha të ndalet kjo luftë që po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe tashmë po sjell pasoja të rënda ekonomike.
Ndërsa Iranit i bëj thirrje të ndalë sulmet ndaj fqinjëve të tij.”
/BBC/Reporteri.net/