×
  • Lajme
  • Mjekësi
  • Botë

    Shefi i OBSH’së: Po i shihet fundi pandemisë së koronavirusit

    Reporteri
    14 Shtator 2022 | 18:53

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se numri i rasteve të infektimit me koronavirus ka rënë në mënyrë dramatike në botë.

    Prandaj, ky institucion u ka bërë thirrje shteteve që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund pandemisë.

    Numri i rasteve të reja me koronavirus, i cili ka lënë të vdekur miliona njerëz prej fundit të vitit 2019, ka rënë në nivelet më të ulëta prej marsit të vitit 2020, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “Nuk kemi qenë kurrë në pozitë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë”, u ka thënë ai gazetarëve.

    “Nuk e kemi arritur ende këtë gjë, por fundi po shihet”.

    Sipas tij, bota duhet të veprojë tani.

    “Një vrapuese maratone nuk ndalet kur sheh se i është afruar fundit. Përkundrazi, ajo vrapon edhe më shumë, me gjithë energjinë që i ka mbetur”.

    “Ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Ne po e shohim fundin. Jemi në pozicion fitues. Tani është koha më e keqe për të ndalur vrapin”, ka paralajmëruar ai.

    “Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të përballemi me më shumë variante, më shumë vdekje, dhe me më shumë paqartësi”.

    Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

    Deri më tani janë regjistruar mbi gjashtë milionë njerëz të vdekur me këtë virus./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!