Një periudhë 16-vjeçare e pushtetit të pakontestueshëm të Viktor Orbanit ka marrë fund në mënyrën më të papritur: përmes një “tradhtie” brenda llojit. Ajo që dikur dukej si një regjim i pathyeshëm, u shemb pas një drame që përfshiu skandale morale, një divorc të zhurmshëm në rrethin e ngushtë të pushtetit dhe një incizim sekret në kuzhinën e shtëpisë.
Peter Magyar, njeriu që deri dje ishte pjesë e elitës së partisë Fidesz, është shpallur fituesi i madh i zgjedhjeve të 12 prillit 2026, duke siguruar një supermazhorancë që i jep fund dominimit të Orbanit.
Skandali që tronditi moralin e Fidesz-it
Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2024 me skandalin “Bicske”. Një vendim i Presidentes Katalin Novak për të falur zëvendësdrejtorin e një shtëpie fëmijësh – i dënuar për mbulimin e abuzimeve seksuale me të mitur, shkaktoi një tërmet popullor.
Ky akt hipokrizie për një qeveri që proklamonte “mbrojtjen e familjes” si kryefjalën e veprimit politik e institucional, detyroi dorëheqjen e Novak-ut dhe të Ministres së Drejtësisë, Judit Varga. Kjo e fundit ishte figura kyçe që hapi rrugën për ngritjen e Magyar.
Nga “çifti i artë” te armiku numër një
Çifti, që dikur konsiderohej “çifti i artë” i Fidesz-it, ishte divorcuar zyrtarisht në mars të vitit 2023. Magyar e përshkroi ndarjen si pjesërisht të nxitur nga mospajtimet politike, ndërsa Varga më vonë do të lëshonte akuza të rënda për abuzim.

Menjëherë pas dorëheqjes së ish-gruas së tij në 2024, Magyar bëri të paimagjinueshmen. Ai u distancua publikisht nga regjimi, duke deklaruar se nuk donte të ishte pjesë e një sistemi ku “zyrtarët e vërtetë fshihen pas fundeve të grave”, një referencë e drejtpërdrejtë për sakrifikimin e Vargës dhe Novak-ut për të mbrojtur Orbanin.
Në një lëvizje që ngjasonte me filmat spiunazhi, Magyar publikoi një incizim sekret të bërë në kuzhinën e shtëpisë së tyre në janar 2023, kur ata ishin ende të martuar.
Në audio, dëgjohej Judit Varga duke pranon se rrethi i ngushtë i Orbanit kishte ndërhyrë në dokumentet e prokurorisë për të fshirë provat në një rast të madh korrupsioni (rasti Volner-Schadl). Ajo shpjegonte se si prokurori i përgjithshëm nuk e kontrollonte dot situatën sepse “Rogan Antal (shefi i kabinetit të Orbanit) dhe njerëzit e tij kishin ndërhyrë”.
E gjendur përballë tradhtisë publike, Varga reagoi ashpër. Ajo nuk e mohoi vërtetësinë e zërit, por pretendoi se Magyar e kishte terrorizuar dhe se ajo kishte thënë ato gjëra “për ta qetësuar” në një situatë dhune familjare. Ajo e quajti atë një manipulues që po përdorte dramën e tyre personale për pushtet politik.
Fitorja plebishitare e 2026-ës
Në zgjedhjet historike të së dielës, partia e Magyar-it, TISZA, arriti një rezultat të jashtëzakonshëm prej 53.6% të votave, duke siguruar 138 vende në parlamentin prej 199 ulësesh, pra më shumë se dy të tretat e numrit të të gjithë debputetëve. Ky rezultat i jep Magyar-it fuqinë për të ndryshuar Kushtetutën. /Reporteri.net