×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Starmer niset drejt Gjirit për ta diskutuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Reporteri
    08 Prill 2026 | 10:15

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka udhëtuar të mërkurën drejt Gjirit për të zhvilluar bisedime me liderët rajonalë, në përpjekje për t’u siguruar që Ngushtica e Hormuzit të hapet përgjithmonë pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, njoftoi zyra e tij.

    “E mirëpres marrëveshjen e armëpushimit të arritur gjatë natës, e cila do të sjellë një moment lehtësimi për rajonin dhe botën”, tha Starmer në një deklaratë.

    “Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, për ta kthyer atë në një marrëveshje afatgjatë dhe për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit”, shtoi ai.

    Starmer, i cili është kritikuar ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump për mosmbështetjen e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ka organizuar takime shumëkombëshe për të diskutuar se si aleatët mund ta mbështesin rihapjen e kësaj ngushtice jetike, e cila është thelbësore për tregtinë e naftës dhe gazit.

    Starmer do të diskutojë përpjekjet diplomatike për të “mbështetur dhe ruajtur armëpushimin me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit dhe mbrojtjen e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj globale nga kërcënime të mëtejshme”, thuhet më njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!