×
  • Lajme
  • Botë / Lufta në Gaza

    Të gjallët e vdekur

    Reporteri
    08 Prill 2024 | 22:26

    Peizazhi i qytetit të tyre të bërë rrafsh me tokë nuk duket si i vërtetë në ditët kur mijëra palestinezë po kthehen në Khan Younis të Gazës.

    Nëpërmjet rrënojave nëpër rrugë, kishin të mbushura biçikletat dhe gomarët ose ecnin këmbë. Ishin në kërkim të shtëpive ose asaj që kish mbetur prej tyre.

    “Po shkoj në shtëpi, edhe pse e di se është e shkatërruar, do të heq rrënojat”, thotë Mohammed Aboud Diab.

    Ushtria izraelite është tërhequr nga jugu i Gazës, duke lënë vetëm një brigadë në këtë pjesë.

    Erë vdekjeje, thonë banorët. Trupat ende janë nën rrënoja. Niveli i shkatërrimit i ka shtangur.

    “Shkatërrimi është i madh. Duhet rindërtuar gjithçka. Nuk janë të qëndrueshme që njeriu të nisë jetën në to – as për kafshët”, thotë Abu Saif Abu Mustafa për BBC-në.

    “Duket sikur një tërmet ka goditur qytetin”, vlerëson Rashad Khamis al-Najjar.

    “Nuk jetohet në këto shtëpi, xhamitë janë të paqëndrueshme dhe rrugët, energjia elektrike janë krejtësisht të shkatërruara”, shton ai.

    Tmerrin të njëjtë kishte parë edhe një tjetër banor. “Veç shkatërrim kemi parë sikur të kish rënë tërmet a katastrofë natyrore”, thotë ai, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Shtëpitë që nuk janë shkatërruar, janë djegur ose plaçkitur. Po vdesim ngadalë. Nuk ka shtëpi për të jetuar, po jetojmë si të vdekurit”.

    Qyteti i dytë më i madh i Gazës, ishte cak i ofensivës izraelite nga muaji dhjetor. Kjo ushtri dyshonte se liderët e Hamasit që kishin ikur nga veriu ndodheshin në tunelet nën qytetin jugor.

    Qyteti i dikur 400 mijë banorëve tashmë është rrënojë.

    Fiks kur ushtria izraelite njoftoi tërheqjen nga qyteti jugor, palestinezët nisën të ktheheshin.

    Mirëpo mijëra prej tyre kanë gjetur shtëpitë rrafsh me tokë. Nuk kanë ku të kthehen.

    Mohammed Abu Rizzea nuk ka humbur veç shtëpinë. Bashkëshortja i vdiq gjatë bombardimit të Izraelit kur ata u zhvendosën nga shtëpia.

    Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli e ka caktuar datën për operacionin ushtarak që ka cak qytetin Rafah. Në këtë qytet janë strehuar palestinezët e qytetit Khan Younis.

    Më shumë se një milion palestinezë janë strehuar në Rafah pasi ikën nga zonat tjera. Edhe ky qytet ishte cak i bombardimeve izraelite.

    Më shumë se 33 mijë palestinezë janë vrarë qëkur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!