×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Trump: NATO dhe Britania e Bashkuar të gatshme të ndihmojnë në Ngushticën e Hormuzit

    Reporteri
    12 Prill 2026 | 17:14

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se NATO është e gatshme të përfshihet në operacionet në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa tensionet me Iranin vijojnë të mbeten të larta.

    Në një intervistë për Fox News, Donald Trump u shpreh se bisedimet e paqes me Iranin kishin qenë “shumë miqësore” në fazën përfundimtare, megjithëse paralajmëroi masa të forta ushtarake.

    “Do të bllokojmë Ngushticën e Hormuzit, do të duhet pak kohë,” tha ai, duke shtuar se pastrimi i zonës nga minat detare nuk do të zgjasë shumë.

    Trump theksoi se disa vende aleate do të kontribuojnë në këtë operacion, duke përmendur se NATO, si dhe Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera, pritet të dërgojnë anije minahedhëse për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës.

    Ai gjithashtu pretendoi se një postim i tij në rrjetet sociale, ku paralajmëronte pasoja të rënda nëse Irani nuk arrinte një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur ngushticën, kishte ndikuar drejtpërdrejt në rikthimin e negociatorëve iranianë në tryezën e bisedimeve.

    Sipas Trump, pala iraniane nuk është larguar nga negociatat dhe ai shprehu besimin se ato do të përfundojnë me një marrëveshje në favor të SHBA-së: “Parashikoj që ata të kthehen dhe të na japin gjithçka që duam.”

    Zhvillimet e fundit rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm në një nga zonat më strategjike për tregtinë globale të energjisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!