Dy të akuzuar për sulmin terrorist në sallën e koncerteve në Moskë, kishin qëndruar disa ditë në Stamboll para se të organizonin sulmin në kryeqytetin rus.
Një zyrtar i lartë i Turqisë ka thënë për gazetën “New York Times” se qëndrimi i shkurtër i dy të dyshuarve tregon se ata nuk ishin radikalizuar në Turqi, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Informacioni është ofruar në ditën kur Turqia arrestoi 147 persona të dyshuar për lidhjet me ISIS-in.
ISIS-i ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Moskë.
Duke folur në kushte anonimiteti për shkak të protokolleve të qeverisë turke, zyrtari i sigurisë ka thënë se njëri nga të dyshuarit, i cili qëndroi në Turqi, Saidakrami Rachabalizoda, arriti në Stamboll më 5 janar dhe qëndroi 16 ditë në një hotel në lagjen Fatih. Ai ishte larguar në drejtim të Moskës më 2 mars.
Zyrtari nuk ka treguar nëse qëndrimi i të dyshuarit në Turqi ka lidhje me planifikimin dhe përgatitjen për sulmin, por ka thënë se forcat e sigurisë kishin vlerësuar se të dyshuarit ishin radikalizuar para se të arrinin në Turqi. Të dy janë nga Taxhikistani, por po jetonin në Rusi si punëtorë migrantë.
Ndërkaq, i dyshuari tjetër, Shamsidin Fariduni, kishte shkuar në Turqi nga Rusia më 20 shkurt dhe u kishte thënë se kishte udhëtuar sepse viza ruse i kishte skaduar. Ai ka qëndruar në një hotel për gjashtë ditë dhe ka postuar fotografi të vendeve historike gjatë qëndrimit në Stamboll.
Fariduni është kthyer në Moskë më 2 mars me aeroplanin e njëjtë me të dyshuarin tjetër.