Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës. Ai i bëri këto komente më 11 qershor në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin.
Gjermania është nikoqire e konferencës dyditore për planifikimin e rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të luftës së nxitur nga pushtuesi rus, si pasojë e të cilës pjesë të Ukrainës janë rrënuar.
Në këtë konferencë po marrin pjesë 2.000 njerëz nga politika, biznesi dhe fushat e tjera.
“Ne do të largohemi nga kjo konferencë me marrëveshje për miliarda euro për mbrojtjen tonë, në lidhje me prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë, si dhe për energjinë tonë, për riparimin dhe ndërtimin e një sistemi të ri dhe më modern energjetik”, tha Zelensky në konferencën dyditore që nisi më 11 qershor në kryeqytetin gjerman.
Zelensky i theksoi sulmet ruse në objektet energjetike të Ukrainës, duke shtuar se prej dimrit të kaluar është shkatërruar gjysma e kapacitetit të vendit për prodhimin e energjisë elektrike.
Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës e kanë detyruar Kievin të vendosë reduktime të rrymës në gjithë vendin.
Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta furnizojnë Ukrainën me më shumë kundërajrorë, duke thënë se kjo është “përgjigja” për ndaljen e përparimit të Rusisë në luftë dhe për sigurimin e paqes afatgjate.
“Përparësia më e madhe strategjike e Rusisë ndaj Ukrainës është superioriteti në qiell. Është terrori raketor dhe i bombave që u ndihmon trupave ruse të çajnë përpara në fushëbetejë”, theksoi Zelensky, duke shtuar “mbrojtja ajrore është zgjidhja”.
Në një komunikatë të lëshuar para konferencës, ministrja e Ministrisë gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze, tha se “edhe gjatë në kohën e tashme të luftës, Ukraina ka nevojë të ndërtojë vazhdimisht shtëpi, tubacione uji, spitale dhe rrjet energjetik”.
Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e Kievit pas Shteteve të Bashkuara me pajisje ushtarake.