Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi nevojën që arritja e paqes në Ukrainë të shoqërohet me garanci të forta dhe të përhershme sigurie.

Këtë deklaratë udhëheqësi francez e bëri gjatë bisedës telefonike që pati, së bashku me udhëheqës të tjerë evropianë, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të takohet ditën e sotme në Shtetet e Bashkuara me Donald Trump.

Siç raportohet qëllimi i bisedës ishte t’i shprehej presidentit ukrainas mbështetja e Evropës dhe Kanadasë në kuadrin e bisedimeve që ai do të zhvillojë me presidentin amerikan.

Reklamë

Sipas njoftimit nga presidenca franceze, Franca synon të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në për çështjen e garancive të sigurisë, bazuar në vendimet e miratuara në kuadër të Aleancës së të Vullnetshmëve, drejtuesit e së cilës janë Franca dhe Britania.

Së fundmi, presidenca franceze thekson se evropianët duhet të marrin pjesë në të gjitha konsultimet që i shqetësojnë, ndërsa dënon sulmet e fundit ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.