×
  • Lajme
  • Botë / Përgjimi i rusëve

    Deshifrimi i komunikimeve ruse për të shpëtuar jetët në Ukrainë

    Reporteri
    14 Shkurt 2024 | 11:07
    Ushtari ukrainas duke dëgjuar komunikimet e forcave ruse

    Radioja mezi dëgjohet nga komunikimet e armikut që janë të vështira për t’u deshifruar, por një komandant rus e thotë qartë: “Përgatitni pesë qese të çajit kinez në 38 portokalli”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

    Ushtari ukrainas i njohur me nofkën Mikhass me shpejtësi deshifron mesazhin që do të thotë: përgatitni pesë predha kineze dhe lëshoni në pozicionin ukrainas në pyllin Serebryansky, që formon frontin e luftës në verilindje të Ukrainës, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    I fshehur në bodrumin e shtëpisë së braktisur 12 kilometra larg frontit, Mikhass menjëherë njofton komandantin e njësisë së përfshirë në luftime në zonën që ishte cak i artilerisë ruse. I jep afat disa minuta me qëllim që ushtarët ukrainas të fshihen nëpër llogore dhe të shpëtojnë.

    Në pikë mbrojtëse dhe në mungesë armatimi, forcat ukrainase janë varur krejtësisht nga taktikat e moçme – mbledhje të inteligjencës nga radiot – kjo është një prej përpjekjeve të fundit për të ruajtur burimet vendimtare.

    Puna e mundimshme është pjesë e përpjekjeve të mëdha për të forcuar dhe përmirësuar aftësitë në luftën elektronike me qëllim që ushtarët të mund të paralajmërohen më herët për sulmet ruse, ndërkohë kanë inteligjencën e luftës që u nevojitet me qëllim që sulmet të jenë më vdekjeprurëse. Për të parandaluar sulmet me dronë nga forcat ruse, ukrainasit po përdorin edhe bllokimet e sinjaleve.

    Edhe komanda e ushtrisë ukrainase ka vlerësuar se lufta elektronike është vendimtare kundër Rusisë. Mirëpo, për shkak të mungesës së madhe të armatimit dhe kursimit të predhave dhe plumbave që u kanë mbetur, ushtarët ukrainas janë të përqendruar më shumë në vazhdimin, përgjimin dhe bllokimin e sinjaleve të forcave ruse.

    Disa kilometra në jug të vendit ku ndodhet Mikhass, në qytetin Konstantinivka të rajonit Donetsk, njësia e Luftës Elektronike e Brigadës 93 po përdor bllokues sinjalesh për të shmangur sulmet me dronë që lënë të plagosur shumë ushtarë ukrainas, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Antenat ku ai mbështetet për të marrë sinjalet e radios ruse janë të kamufluara, afër pozicioneve të armikut. Nga qendra e komandimit në bodrum, Mikhass dhe ushtarë të tjerë pinë me rend dhe dëgjojnë në kufje. Një antenë e re dhe e sofistikuar për gjetjen e sinjalit, e cila i ngjan një kutie të madhe, përdor trekëndëshin për të gjetur se nga burojnë valët e radios.

    “Kastravecët” janë mortajat, “karotat” janë granatahedhësit” dhe vendndodhjet e tyre përcillen me kodin numerik me ngjyrën përkatëse. Njësisë u janë dashur disa muaj për të deshifruar këta urdhra të ushtrisë ruse.

    Rëndësia e mbikëqyrjes elektronike nuk duhet nënvlerësuar, thotë Yaroslav Kalinin, shef i kompanisë Infozahyst, e kontraktuar nga ministria ukrainase e Mbrojtjes.

    Ai beson se pajisjet më të mira dhe më të vogla që janë më lehtë për t’u fshehur dhe lëvizur, do t’i ofrojnë Ukrainës përparësi në luftën kundër Rusisë.

    Rusët e dinë se janë duke u përgjuar dhe vazhdimisht ofrojnë informacione të rrejshme, të cilat me shpejtësi i zbulojnë Mikhass dhe shokët e tij.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!