
Dy gra kanë mbetur të plagosura sot rreth orës 11:45 në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë.
Pas hetimeve fillestare dyshohet se një burrë ka plagosur me armë zjarri dy gratë të cilat janë dërguar për trajtim mjekësor.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti për Reporteri.net.
“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.
Por si ndodhi plagosja e dy grave?
Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar nga dëshmitarët se i moshuari i moshës rreth 70-vjeçare ka përcjellë dy gratë të cilat janë nënë dhe bijë, dhe kur është afruar afër tyre ka gjuajtur me armë zjarri.
Sipas dëshmitarëve i moshuari ka dashur të vrasë gruan e moshës mbi 60 vjeçare, dhe në atë moment vajza e moshës mbi 40-vjeçare ka reaguar duke u munduar ta shpëtojë nënën e saj dhe me këtë rast është plagosur dhe ajo në duar.
Sipas dëshmitarit dy gratë e plagosura kanë lidhje familjare me të dyshuarin, saktësisht e kanë dajë të babës, por që ky nuk është informacion i konfirmuar zyrtarisht.
I dyshuari ende në arrati
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arritur ta identifikoi personin e dyshuar, por që ende nuk e ka arrestuar.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka deklaruar Policia. /Reporteri.net/.