Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të kompleksit “Tulltorja” është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Dokumentin e Ministrisë e ka publikuar të mërkurën asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, i cili ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të ndalojë procedurat lidhur me projektin.

“Departamenti Ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të Tulltores së qytetit për 50 vjet është në kundërshtim me normat ligjore që rregullojnë këtë fushë”, ka shkruar Sveçla.

Reklamë

Sipas tij, “Tulltorja mbetet në pronësi dhe menaxhim të Komunës së Prishtinës”.
“Ftojmë Kryetarin e Kryeqytetit të ndalojë përpjekjet për tjetërsimin e pasurisë publike të qytetarëve të Prishtinës. Projekti i paraparë për Tulltoren duhet të financohet nga buxheti komunal dhe të realizohet nga vetë Komuna”, ka shkruar Sveçla.

Në dokumentin e publikuar nga asamblisti, i cili i referohet vendimit nr. 01-463/01-141071/26, të miratuar më 11 shtator 2026, thuhet se MAPL-ja, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të Komunës, ka konstatuar se ai është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ministria ka konstatuar se vendimi bie ndesh me rregulloren që përcakton procedurat për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale.

Një prej çështjeve të ngritura nga MAPL-ja lidhet me procedurën e negocimit. Sipas Ministrisë, destinimi i “Tulltores” si qendër ekonomike, kulturore dhe afariste nuk hyn në sektorët për të cilët mund të zbatohet procedura e negocimit sipas rregullave në fuqi.

MAPL-ja ka evidentuar gjithashtu se, sipas certifikatës së pronësisë, lokacioni i “Tulltores” nuk figuron në listën e veçantë të pronave të paluajtshme komunale për vitin 2026.
Ministria i ka kërkuar Kuvendit Komunal të Prishtinës që brenda 30 ditësh ta rishqyrtojë aktin dhe ta harmonizojë atë me legjislacionin në fuqi.

Reklamë

Kuvendi Komunal i Prishtinës e kishte miratuar më 11 shtator propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të “Tulltores”. Për të kishin votuar 31 asamblistë, 13 kishin qenë kundër, ndërsa nuk kishte pasur asnjë abstenim.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e kishin kundërshtuar propozimin, ndërsa seanca ishte shoqëruar edhe me tensione.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte mbrojtur projektin duke theksuar se prona nuk po shitej, por po jepej në shfrytëzim. Sipas tij, kryeqyteti do të përfitonte rreth një milion euro në vit dhe, pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, toka dhe asetet e ndërtuara në të do t’i mbeteshin Komunës.

Marrëveshja e negociuar me kompaninë “BGC SH.P.K.” parashihte shfrytëzimin e kompleksit për 50 vjet. Investimi në fazën e parë pesëvjeçare parashihej të arrinte deri në 10 milionë euro, ndërsa në fazat pasuese deri në 20 milionë euro.

Reklamë

Hapësira ishte paraparë të përdorej për veprimtari afariste, kulturore, administrative, gastronomike, kreative dhe ekonomike, ndërsa banimi nuk do të lejohej.

“Tulltorja” kishte qenë më parë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Komuna e Prishtinës e kishte blerë pronën në vitin 2020 për 5 milionë euro, pasi privatizimi i saj ishte ndalur dhe zona ishte shpallur me interes publik.