Një avari në sistemin elektrik të Trepçës ka bërë që 63 minatorë të mbeten në nëntokë pa energji elektrike gjatë ndërrimit të dytë të mërkurën mbrëma.
Sipas sqarimit të menaxhmentit të Trepçës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, kur është paraqitur një avari në trafon e sistemit 35 kV në “Tunelin e Parë”, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji për Minierën e Trepçës me Flotacion në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët sipas planit do të përfundonin ndërrimin në orën 23:00.
Menaxhmenti bën të ditur se 54 prej tyre kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë minatorë kanë qëndruar në nëntokë deri në rikthimin e energjisë elektrike.
Energjia për minierën është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e fundit kanë dalë në sipërfaqe rreth orës 02:50.
Trepça thotë se pas rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë ka vazhduar punën normalisht.
Megjithatë, Njësia e Flotacionit vazhdon të jetë jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në transformatorin 35 kV.
Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e problemit, ndërsa po kontrollohen dhe po bëhen përpjekje për zëvendësimin e pesë siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe elementeve të tjera të instalimit elektrik.
Sipas menaxhmentit, punimet janë vështirësuar për shkak të mungesës së pjesëve rezervë në magazinë.
Trepça ka bërë të ditur se pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së kontrolleve të nevojshme të sigurisë dhe atyre teknike, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji dhe i punës së Njësisë së Flotacionit.
Menaxhmenti ka thënë se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e situatës dhe se do të njoftojë për zhvillimet e mëtejshme.