Devolli Corporation priti për vizitë Drejtorin e Përgjithshëm global të “Raiffeisen Bank” me seli në Austri, dr. Johann Strobl, i cili u njoh nga afër me aktivitetet dhe planet e zhvillimit të kompanisë lidere në Kosovë. Gjatë vizitës në fabrikën e kafesë Prince, Strobl u takua me aksionarin e Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli.

Ai u informua për procesin e prodhimit të kafesë, standardet e larta të cilësisë dhe planet ambicioze për zgjerimin e mëtejshëm të kompanisë. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, ku u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit të gjatë mes Raiffeisen Bank dhe Devolli Corporation.

Si bashkëpunëtorë të vjetër, përfaqësuesit e Raiffeisen Bank dhe Devolli Corporation shprehën angazhimin e tyre për të thelluar më tej marrëdhëniet e biznesit, duke eksploruar mundësi të reja për bashkëpunim që do të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe inovacionin në Kosovë.

Reklamë

Kjo vizitë vë në pah partneritetin e fortë mes sektorit bankar dhe atij të prodhimit, duke konfirmuar rolin e rëndësishëm të këtyre institucioneve në rritjen e ekonomisë së vendit.