Prokuroria Speciale ka njoftuar se në Zubin Potok po zhvillohet një proces zhvarrosjeje (ekshumimi) me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit, ky aktivitet po realizohet me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe është pjesë e dy rasteve të hetimit penal që po udhëhiqen nga ky institucion.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet kompetente janë duke realizuar zhvarrosjen (ekshumimin) me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, me inicialet M.J. dhe M.B.
“Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, M.J dhe M.B”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka theksuar se procesi po zhvillohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave.
“Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës”, thuhet në reagim.
Institucioni ka bërë të ditur se informacionet e tjera do të publikohen vetëm në masën që nuk dëmtojnë procedurën penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.
“Institucionet mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Speciale.