Një 30 vjeçare nga Komuna e Malishevës ka vdekur javën që shkoi në QKUK, ku u shtrua në gjendje kritike. Deri te vdekja e saj po dyshohet se erdhi si pasojë e trajtimit jo-adekuat nga mjekët e Spitali Amerikan në Prishtinë ku e reja kishte trajtuar problemet me veshkat. Për këtë, rasti po hetohet nga Prokuroria e Shtetit, raporton gazeta online Reporteri.net.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur të premten hetim për vdekjen e 30 vjeçares A.M.-D., nga fshati Llozicë e Malishevës. E reja që vdiq javën që shkoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sipas familjes pësoi shkaku i trajtimit jo adekuat dhe mos ofrimi i ndihmës mjekësore nga mjekët dhe stafi i Spitalit Amerikan në Prishtinë, ku viktima gruaja ishte trajtuar për probleme me veshkat.
Për këtë, Prokuroria e Shtetit po kryen hetimet, nën dyshimet se pati neglizhencë mjekësore duke mos i dhënë ndihmën e duhur mjekësore, gjë që rezultoi fatale për 30 vjeçaren, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Me të po merret një prokuror nga departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore të kryeqytetit.
30 vjeçarja, siç familjarët i treguan gazetës online Reporteri.net, kishte kryer dy operacione në veshka në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Një në muajin maj e tjetrin në qershor të këtij viti. Operimi i dytë, sipas tyre ka shkuar keq, gjë që nga atëherë, familja pretendon edhe në kallximin e tyre penal në polici, të rejës veç i është përkeqësuar gjendja çdo ditë e më shumë.
Gjatë muajit korrik, viktima u trajtua në QKUK, ku edhe vdiq të premten.
Trupi i pajetë i së rejës nga komuna e Malishevës, u mor të premten për Obduksion në IML. Familja tek sot e mori kufomën, për ta varrosur pasdite në vendlindjen e saj, në fshatin Llozicë të Malishevës.
Gazeta online Reporteri.net, të hënën, ka provuar të marrë konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, në lidhje me hetimin e rastit në fjalë, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje. Po ashtu, mediumi, përmes e-mailit, ka kontaktuar për sqarime rreth rastit edhe me Spitalin Amerikan në Prishtinë, por as ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.
*Sqarim: Versioni i parë i artikullit në titull gabimisht thoshte se 30 vjeçarja ka vdekur në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Artikulli është përmirësuar për të reflektuar faktin se personi në fjalë ka vdekur në QKUK. Gazeta online Reporteri.net kërkon falje për lëshimin.