×
  • Lajme
  • Lajme

    E dhimbshme: Kosovari shkoi në Gjermani për jetë më të mirë, vdiq në ditën e parë të punës atje

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 15:41

    35-vjeçari Hajdin Thaçi nga Llapushniku ka vdekur tragjikisht në Gjermani, duke pasi ra nga skelet në katin e katërt të një ndërtese në të cilën po punonte. Kjo ndodhi në ditën e tij të parë të punës jashtë Kosovës. Ngjarja ka tronditur familjarët e miqtë të cilët thonë se Thaçi kishte ikur për të ju siguruar fëmijëve një jetë më të mirë.


    Rrugën për në kurbet e kishte marrë në kërkim të një jete më të mirë. Por, nga atje, Hajdin Thaçi nga Llapushniku do të kthehet në arkivol.

    Kishte disa vite që po punonte si kamerier në Drenas, por, kjo nuk po ia përmirësonte atij dhe familjes kushtet për jetë, kështu mërgimi u pa si zgjidhje më e mirë.

    Por, Hajdinit nuk i doli ashtu si kishte menduar. Në ditën e parë të punës në shtetin gjerman, babai i dy fëmijëve u rrëzua nga kati i katërt i një ndërtese në të cilën po punonte në ndërtimtari, e aty edhe ndërroi jetë.

    Ngjarja tragjike ka tronditur familjen dhe ata që e njihnin. Familja Thaçi sot gjatë ditës kishe hapur dyert për të pame, derisa ende nuk dihet saktësisht kur do të kthehet trupi i pajetë i Hajdinit në Kosovë.

     

    Flasin ata që e kishin njohur Hajdin Thaçin

    Ditë më parë kishin përcjellë familjarin e tyre për në Slloveni. Hajdin Thaçi nga Llapushniku i Drenasit, kishte lënë punën si kamerier që po e ushtronte që disa vite, për të ikur në mërgim në kërkim të një jete më të mirë.

    Me të arritur në shtetin slloven, Thaçi nuk mundi të gjente punë, kështu pas disa ditëve u nis drejt Gjermanisë.

    Dje në ditën e parë të punës, në ndërtimtari, gjithçka për të përfundoi tragjikisht. Nga kati i katërt i ndërtesës ku po punonte ai ra dhe vdiq në vend të ngjarjes.

    Familjarët kanë pak fjalë për të komentuar atë që i ndodhi të ndjerit, duke thënë se ishin në mërzi e s’donin të flisnin për temën. Sot njerëz të shumtë ishin nisur në familjen e tyre për krye shnosh.

    Fqinjët në anën tjetër i kanë thënë Gazetës Express se kushtet në të cilat po jetonte i ndjeri nuk ishin fort të mira.

    “Kushtet i ka pas si në Kosovë ma. Me një rrogë dy fëmijët, gruan e nanën është dasht mi kqyr, ka shku për ni jetë më të mirë, po qe taksirat për me mbet atje”, thonë fqinjët, teksa drejtohen te familja për të pritur të pame.

    Miku i Hajdin Thaçit, Armend Shala në një rrëfim për Gazetën Express thotë se se i ndjeri kishte vite që po shikonte për një zgjidhje për të ikur nga Kosova.

    “Gjithmonë kur ke bisedu me të ka thënë, s’ka lidhje në cilin shtet shkoj, veç me mujt me e leshu Kosovën. Nëse i kish pas kushtet e mira nuk ish largu hiç ai”, thotë Shala.

    Tutje, ai rrëfen se katër ditë para se të nisej për në mërgim e kishte parë shokun e tij teksa thoshte se ai kishte qenë i gëzuar.

    “Kam fjalë të mira shumë për të, e kam pas shumë shok, ka qenë djalë i hareshëm i buzëqeshur, s’ke mujt me pa nervoz kurrë”, thotë ai, teksa tregon edhe çka i kishte thënë për herë të fundit miku.

    “Kur shteti jonë është i krimbur detyrohemi prej kamerieri me shku me punu ndërtimtari për një të ardhme të fëmijëve tonë”, thotë Shala, duke cituar mikun e tij të ndjerë.

    Hajdin Thaçi ishte nisur për në Slloveni shtatë ditë më parë. Atë ditë përmes rrjeteve sociale kishte treguar se kishte marrë vizë të punës. Ai ka lënë prapa gruan dhe dy fëmijë.

    Familjarët ende nuk kanë marrë vesh se kur do të kthehet trupi i pajetë për në Kosovë, derisa kanë informacione se tashmë po i kryhet ekspertiza të ndjerit.

    Ngushëllime për familjen kanë thënë edhe familjarët përmes rrjeteve sociale.

    “More rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë për vete dhe familjen u nise i buzëqeshur edhe po kthehesh i vdekur do të kujtoj me shumë mall shoku Din, t’i ishte dhe do të mbetesh në zemra tona gjithmonë”, ka shkruar njëri nga miqtë e tij në Facebook.

    Largime të shumta nga Kosova

    Rasti i Hajdin Thaçit nuk është i vetmi. Vetëm së fundmi është raportuar për shifra të mëdha të kosovarëve që po largohen nga vendi.

    Më shume se 10 mijë banorë çdo vit raportohet se largohen nga Kosova, teksa numri është rritur në dy vitet e fundit.

    Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ndërkohë kanë deklaruar për Express se nuk kanë informacione për rastin e fundit.

    Në raportin që ka publikuar Komisioni për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian Kosova prin në listë sa i përket mërgimit, me 15.4 për qind të popullsisë së larguar nga vendi për 10 vjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!