×
  • Lajme
  • Lajme

    E gjithë bota kundër Kosovës: Pas Amerikës e Gjermanisë, edhe Britania kërkon heqjen e taksës

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 12:17

    Shteti kosovar në 11 vjet ekzistencë po përjeton krizën më të madhe të mbështetjes ndërkombëtare, pasi kohëve të fundit ata kanë folur me një zë kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

    Taksa ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake ka bërë që shtete si Amerika, Gjermania e Britania e Madhe, të jenë kundër, ani pse historikisht kanë përkrahur shtetin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    E para që doli kundër taksës ndaj Serbisë, ishte Amerika. Përveç qëndrimeve të ambasadorit Philip Kosnett dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, taksa solli edhe numrin tre të Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili theksoi nevojën për heqjen e taksës. David Hale theksoi se duhet të hiqet çdo pengesë që pamundëson vazhdimin e dialogut.

    “Deri tash palët kanë dashur të tregojnë fuqinë e tyre, tash është koha për të treguar zgjuarsinë”, kishte thënë vetë Hale.

    Pas tij, në Kosovë zbarkuan dje dy këshilltarët kryesorë të kancelares Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matias Litenberg. Ishte vetë Haradinaj që pranoi se edhe gjermanët i dolën kundër për taksën, ani Hecker dhe Litenberg nuk folën për media.

    Ndërkaq sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, mblodhi Delegacionin Shtetëror për Dialog një zyrtar tjetër. Ishte britaniku Richard Moore, i cili ka treguar qëndrimin e shtetit të tij rreth taksës dhe dialogut. Kryesuesi i dialogut, Fatmir Limaj, konfirmoi se edhe Britania ka dalur kundër taksës.

    “Të gjithë që vijnë kërkojnë në mënyrë apo tjetër t’i jepet mundësi dialogut, në këtë rast pengesë që është taksa. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të fillojë dialogu”, ka thënë Limaj.

    Sidoqoftë, kryeministri Haradinaj dhe deputetë të partisë së tij kanë përsëritur se Qeveria nuk e ka në mend ta heqë taksën derisa, sipas tyre, të vërehet reflektimi i Serbisë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!