×
  • Lajme
  • Lajme

    EKSKLUZIVE: Rreth 40 ftesa të reja vijnë nga Haga për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë

    Reporteri
    29 Mars 2019 | 18:30

    Autor: Mentor Gjergjaj 


    Rreth 40 ftesa për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe figura të larta në hierarkinë e saj, kanë mbërritur nga Haga në Kosovë. Thirrjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën, janë për dy muajt e ardhshëm Prill dhe Maj të këtij viti. Në mesin e të ftuarve ka edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.


    Një valë e re intervistimesh për krime lufte e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës do të nisë gjatë javëve në vazhdim në Hagë.

    Burimet e Reporteri.net, të afërta me procesin, kanë konfirmuar se këtë javë në Kosovë janë shpërndarë rreth 40 ftesa të reja për intervistim nga Zyra e Prokurorit Specializuar, të ish-ushtarëve të UÇK-së. Të tjera do të shpërndahen edhe gjatë ditëve në vazhdim, gjatë javës tjetër.

    Në mesin e të ftuarve janë edhe disa ish-komandantë zonash operative dhe figura tjera kyçe të këtij grupimi ushtarak për Çlirimin e Kosovës.

    Në listën e këtyre thirrjeve të Hagës, ka edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, që tash janë figura politike në vend, shkruan Reporteri.net. Ftesa kanë marrë edhe disa deputetë aktual e ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Reporteri.net ka arritur që përmes burimeve të konfirmojë disa prej tyre, që vijnë nga dy partitë në pushtet PDK e AAK.

    Datat për paraqitjen e tyre në Hagë figurojnë prej nga mesi i muajit të ardhshëm – Prill 2019 – e deri në Maj të këtij viti.

    Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve dhe ruajtës së konfidencialitetit, tash për tash, Reporteri.net nuk do të publikojë emrat e tyre, pa pajtimin e tyre për dalje në publik të thirrjeve që kanë marrë nga Haga.

    Emrat dhe detaje tjera rreth këtyre ftesave, Reporteri.net do t’i publikojë gjatë ditëve në vazhdim.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, sikur se ka ndodhur deri më tash, nuk kanë pranuar të komentojnë për ftesat e reja, me arsyetimin e zakonshëm.

    “Për arsye profesionale, etike e ligjore, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep asnjë informacion në lidhje me statusin e hetimeve”, thotë zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennett, në një përgjigje për Reporteri.net.

    Prej dhjetorit të vitit të shkuar, kur Prokuroria e Specializuar e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale ka shpërndarë ftesat e para në Kosovë, për intervistim në Hagë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte, e deri më sot, janë intervistuar rreth 20 të tillë.

    E para figurë kyçe e UÇK-së që është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte qenë Sokol Dobruna, ish kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. Marrja në pyetje e tij kishte ndodhur në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018.

    I pari që kishte udhëtuar në Hagë për tu intervistuar për krime lufte kishte qenë ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit Rrustem Mustafa – ish-deputet i PDK-së i njohur si Remi. Bashkë më të, për në Hagë kishte udhëtuar edhe bashkëpartikaku i tij ish-komandanti i Drenices, Sami Lushtaku – që pas luftës për disa vite ka drejtuar komunën e Skenderajt.

    Para prokurorëve të Specializuar intervistë për krime lufte në janar të këtij viti ka dhënë edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Sylejman Selimi. Ky i fundit, tash këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, u morr në pyetje në Prishtinë, pasi në datën kur u ftua në Hagë nuk udhëtoi, me arsyetimin se ishte i sëmurë.

    Së fundit, gjatë marsit Zyra e Prokurori të Specializuar e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, ka intervistuar edhe deputetin e AAK-së Blerim Kuçi. Ftesën për në Hagë, pas Kuçit e ka njoftuar publikisht edhe bashkëpartiaku i tij, ish-deputeti Lahi Brahimaj. Ky i fundit, daja i kreut të AAK-së dhe kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

    Brahimaj, sikurse nipi i tij Haradinaj, janë përballur edhe me parë më drejtësinë ndërkombëtare, duke dalë të pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për Kosovën, me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015.

    Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

    Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

    Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

    Hashim Thaçi është emri më i përmendur në këtë raport “për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”.

    Ish-lideri politik i UÇK-së gjatë luftës, e shef i Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas saj, përmendet 26 herë në këtë raport, mbi bazën e të cilës 16 vite më pas u themeluan të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

    Në raport, përveç Hashim Thaçit, përmenden edhe ish-drejtuesit tjerë të UÇK-së, si: Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Shaip Muja e Ramush Haradinaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!