Flet bashkëshorti i mësueses që u ther me thikë në Prishtinë

Familjarët e Vlora Paci- Neziri, e cila u ther sot me thikë në shkollën ‘7 Marsi’ në Prishtinë, shprehen të tronditur lidhur me rastin dhe thonë se nëna e nxënësit që e sulmoi mësuesen ishte me probleme psikike.

Vlora Paci- Neziri sot është therë me thikë nga një prind, pas një përleshje fizike, ndërkohë që gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Bashkëshorti i saj, Mehidin Neziri, shpreson që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

“Sigurisht është shqetësim edhe për mua si bashkëshort i saj, por edhe shqetësim i përgjithshëm, por nuk besoj që ka pasur ndonjë problem. Po thonë se është rast, ka probleme psikike. Rasti është në polici. Tash do ta shohim…Ashtu po flitet. Qysh ka mund të jetë, është mirë. Sigurisht që është shqetësuese, si të besojmë tash që nuk mund të ndodhë prapë”, tha Neziri.

Mjekët në QKUK thonë se gjendja shëndetësore e mësueses së therur me thikë ka qenë e rëndë kur është sjellë për trajtim në këtë institucion shëndetësor.

Dafina Basholli, specialiste e mjekësisë emergjente, thotë se gjendja aktuale e saj shëndetësore është stabile.

“Rreth orës 10:18 e kemi pranuar një paciente me inicialet V.N, e lindur në 1969, e cila ka pasur lëndime në abdomen. Gjendja momentale e pacientes është stabile dhe janë bërë të gjitha ekzaminimet e mundshme. Terapia është dhënë dhe tani pranohet në kirurgjinë abdominale…Ka qenë mjaft e shqetësuar, në një gjendje mesatarisht të rëndë, mirëpo tani është stabilizuar”, tha Basholli.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe punëtorët teknikë, të cilët prapa kamerave kanë konfirmuar se personi që ka sulmuar me thikë mësuesen është nënë e një nxënësi me inicialet B.D. e moshës 38- vjeçare.

E Florije Mustafa, prind, thotë se është e shqetësuar lidhur me rastin dhe e ka të vështirë të dërgojë fëmijët e saj në këtë shkollë, pas këtij rasti.

“Jemi shumë të shqetësuar, tash kur e dëgjova këtë rast, kur të ndodhë ky rast, mund të ndodh prapë. Mësuesja ka qenë shumë e mirë, me prindërit është sjell mirë. Edhe unë i kam pas fëmijët, edhe është sjell shumë mirë”, tha ajo.

Ndryshe, B.D. është arrestuar nga policia e Kosovës, e cila pritet të fillojë hetimet lidhur me rastin që ka tronditur qytetarët.

Detaje të reja për therjen e mësueses në Prishtinë