Si do ta ndryshojë Inteligjenca Artificiale tregun e punës? Cilat aftësi njerëzore do të mbeten të pazëvendësueshme në një botë gjithnjë e më digjitale? Dhe si duhet të përgatiten të rinjtë në Kosovë për profesionet dhe vendet e punës deri në vitin 2030?

Këto ishin disa nga temat kryesore të diskutimit “Future Skills 2030: Çfarë do të kërkojnë punëdhënësit në Evropë – Përgatitja e të rinjve për të ardhmen e punës”, një Masterclass dhe diskutim interaktiv i organizuar nga WeBalkans, në bashkëpunim me Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave të Natyrës (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës.

Duke bërë bashkë studentë, përfaqësues të akademisë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, aktiviteti u fokusua në ndryshimet e shpejta në tregun evropian të punës dhe në kombinimin e aftësive digjitale, profesionale dhe njerëzore që do të kërkohen gjithnjë e më shumë nga punëdhënësit.

Reklamë

Diskutimi vjen në një kohë kur të rinjtë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor po hyjnë në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi si rezultat i automatizimit, transformimit digjital dhe konkurrencës globale. Masterclass-i synoi t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë pritjet e reja të punëdhënësve dhe mënyrën se si njohuritë akademike mund të plotësohen me aftësi praktike dhe profesionale.

Ilir Kiqmari, duke sjellë perspektivën akademike, u fokusua në ndikimin që zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale mund të ketë në profesionet e së ardhmes. Ai foli për mundësinë që AI të marrë përsipër gjithnjë e më shumë detyra rutinore të përditshme, duke e bërë edhe më të rëndësishëm rolin e njeriut në mbikëqyrje, vendimmarrje dhe përgjegjësi.

Duke folur për tregun e punës deri në vitin 2030, Kiqmari veçoi fusha si profesionet teknike, energjia dhe infrastruktura, shërbimet shëndetësore që kërkojnë punë praktike, siguria e Inteligjencës Artificiale, drejtësia dhe politikat publike, udhëheqja me përgjegjësi dhe arsimi. Për të rinjtë, ai theksoi rëndësinë që të jenë vazhdimisht të informuar dhe të lidhur me zhvillimet e reja.

Drita Prenaj, trajnere për Inteligjencë Emocionale dhe Aftësi të Buta, solli në diskutim një tjetër aspekt të rëndësishëm të vendit të punës në të ardhmen: aftësinë për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet.

Reklamë

“Inteligjenca Emocionale është një temë që jo gjithmonë ka marrë vëmendjen që meriton, pavarësisht ndikimit të madh që ka në jetën tonë personale dhe profesionale. Derisa po i afrohemi vitit 2030, vetëdija për rëndësinë e saj vetëm sa do të rritet”, tha Prenaj.

Ajo theksoi se konfliktet në vendin e punës shpesh lidhen me mungesën e vetëdijes emocionale. Sipas saj, të kuptuarit e faktorëve që ndikojnë në reagimet tona emocionale mund të na ndihmojë të menaxhojmë më mirë veten dhe marrëdhëniet me të tjerët. Prenaj gjithashtu inkurajoi të rinjtë që t’i kushtojnë rëndësi shprehive të përditshme që ndikojnë në mirëqenien dhe balancën emocionale.

Desantila Muriqi, përfaqësuese e rrjetit Young European Ambassadors, foli për një sfidë me të cilën përballen shumë studentë dhe të diplomuar: punëdhënësit kërkojnë përvojë pune, ndërsa të rinjve u duhen pikërisht mundësi për ta fituar atë përvojë.

Duke u bazuar në përvojën e saj, Muriqi tregoi se programet e financuara nga Bashkimi Evropian mund t’u ndihmojnë të rinjve të fitojnë aftësi praktike, përvojë ndërkombëtare dhe kontakte profesionale që gjatë studimeve. Ajo i inkurajoi studentët të mos mendojnë se mundësitë evropiane janë të rezervuara vetëm për studentët me nota të shkëlqyera, duke theksuar se kureshtja, hapja ndaj përvojave të reja dhe gatishmëria për të mësuar janë po aq të rëndësishme.

Reklamë

Gjatë diskutimit u prezantuan edhe mundësi konkrete për të rinjtë, përfshirë Young European Ambassadors, Youth to Youth Skills Lab të Europe House Kosovo, Erasmus+, Erasmus Mundus, Young Cell Scheme, Horizon Europe, Marie Skłodowska-Curie Actions, Erasmus for Young Entrepreneurs, European Solidarity Corps dhe Creative Europe. Këto programe ofrojnë mundësi të ndryshme për arsimim, hulumtim, ndërmarrësi, vullnetarizëm, krijim të rrjeteve profesionale dhe zhvillim të aftësive.

Moderatori i diskutimit, Fatbardh Kabashi, theksoi se përgatitja për të ardhmen nuk nënkupton vetëm fitimin e njohurive teknike. Mendimi kritik, kreativiteti, kureshtja, përvoja dhe aftësia për të ruajtur dimensionin njerëzor në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga teknologjia do të vazhdojnë të jenë po aq të rëndësishme.

I organizuar në kuadër të iniciativës më të gjerë EU With YOU (BE për TY), diskutimi e ndërlidhi integrimin evropian me mundësitë konkrete për të rinjtë në Kosovë – nga arsimimi dhe zhvillimi i aftësive, deri te punësimi, mobiliteti dhe krijimi i rrjeteve profesionale.

Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte i qartë: të rinjtë në Kosovë nuk duhet vetëm të përgatiten për ndryshimet që po ndodhin në tregun evropian të punës, por të shfrytëzojnë mundësitë që kanë në dispozicion dhe të bëhen pjesë aktive e krijimit të së ardhmes së tij.

Reklamë