×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetari i Reporteri.net, Rexhep Kameraj, njëri nga dy të përzgjedhurit e Ambasadës Amerikane për programin SUSI në “Arizona State University”

    Reporteri
    30 Qershor 2023 | 13:41
    Rexhep Kameraj, gazetar i Reporteri.net, në Arizona State University, në kuadër të programit "SUSI"

    Rexhep Kameraj, gazetar në gazetën online Reporteri.net, dhe Agon Rexhepi, gazetar në Radio Dukagjini janë dy të rinjtë nga Kosova të përzgjedhur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, për të marrë pjesë në njërën prej rezidencave akademike të programit “Study of the U.S. Institutes – SUSI”, në SHBA, atë për Gazetari dhe Media.

    “Study of the U.S. Institutes” (SUSI) është një program që financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe implementohet nga “Meridian International Center”. Qëllim ka që t’ua ofrojë liderëve të rinj nga Evropa mundësinë që të njihen për së afërmi me kulturën amerikane.

    Gjatë këtij programi pesë javor, i ndarë në tri rezidenca akademike, të rinj pjesëmarrës nga shtete të ndryshme evropiane familjarizohen me koncepte të caktuara që shkojnë përkitazi me demokracinë, lidershipin dhe kulturën amerikane, e krejt kjo bëhet përmes diskutimeve, sesioneve informuese, dhe projekteve që zhvillohen nëpër universitetet në SHBA.

    Para se pjesëmarrësit të ndahen nëpër institute, në Washington D.C. është bërë lansimi i programit, me folës nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ish-përfaqësues të SUSI.

    “I lumtur me qenë pjesëmarrës në programin SUSI për Gazetari dhe Media, i sponsorizuar prej Departamentit amerikan te Shtetit, dhe i implementuar nga Meridian International Center. Gjatë kësaj jave në Washington D.C., bashke me Agon Rexhepin, pata mundësinë të takoj liderë të rinj nga e gjithë bota, me shkemby kultura me ta, edhe me ju tregu për Kosovën. E vizituam edhe “Zëri i Amerikës”, edhe mësuam ma shume për punën shembullore që e bëjnë”, ka njoftuar në facebook Rexhep Kameraj, gazetar në gazetën online Reporteri.net.

    Tutje, Rezidenca për gazetari dhe media, e cila ka nisur këtë javë, me temë “Gazetaria dhe Sfidat e Demokracisë në Shekullin 21” po zhvillohet në Universitetin e Arizonës, përkatësisht në “Cronkite School of Journalism and Mass Communication”, një prej universiteteve më prestigjioze në botë.

    “Tash, programin e vazhdojmë në Arizona, ku kemi me i eksploru sfidat e gazetarisë dhe medias në shekullin 21, me profesioniste nga Universiteti i Arizonës. Falënderues ndaj Ambasadës Amerikane në Prishtine për përzgjedhjen në këtë program”, ka njoftuar tutje Kameraj.

    Rexhepi dhe Agoni, si përfaqësues nga Kosova në këtë program, do ta kenë mundësinë që të ekspozohen nga afër me kulturën amerikane dhe t’i zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën e gazetarisë, me synim që këto aftësi të fituara t’i sjellin edhe në Kosovë.

    Në institutin për Gazetari dhe Media në Universitetin e Arizonës, pjesëmarrës ka edhe nga shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor por jo vetëm, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Bosnia dhe Hercegovina, Serbia, dhe Hungaria.

    Rexhep Kameraj nga shkurti i vitit 2022 është gazetar në gazetën online Reporteri.net, ku edhe e ka nisur punën e tij në media. Njëherit është edhe student i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës. Fushat e tij të interesit përfshijnë vendimmarrjen, aktivizimin, dhe të drejtat e njeriut.

    Ndërsa, Agon Rexhepi drejton emisionin e tij “D-Podcast” në Radio Dukagjini, dhe është po ashtu student në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Si aktivist, avokon për të drejtat e komuniteteve pakicë. /Reporteri.net/.

    Agon Rexhepi dhe Rexhep Kameraj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!