Sigurisht se jo pak ish-ushtarë të UÇK-së gjatë luftës sidomos ata të rajonit të Llapit, por sigurisht jo vetëm janë shëruar në spitalin ushtarak që gjendej në lagjen Potok të fshatit Popovë të Podujevës.


Por njëzet vjet pas ata ushtarë që duan ta vizitojnë objektin ku janë shëruar dhe kanë shpëtuar jetën sigurisht se nuk do të ndiheshin mirë se në ç’gjendje është katandisur, në vend që të ishte një vend që do mbledhte vizitorë jo të paktë.

Se ky objekt ka mbetur në gjendje të mjerueshme dhe se institucionet as të nivelit lokal e as qendror nuk e kanë qarë kokën e tregojnë edhe disa foto që së fundmi i ka publikuar Mentor Tahiri, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Reklamë

Tahiri në një prononcim për Reporteri.net thotë se vetë gjendja ku është katandisur objekti, flet për ne dhe relacionin me këtë segment të luftës.

“Në planin ushtarak, dy datat e shkruara në këtë tabelë i japin historisë dy informata me rëndësi. E para, 15 Shtator flet për konsolidimin e territoreve të lira në këto anë, spitali ushtarak ishte thellë në prapavijë dhe në qendër të një hapësirë tanimë jashtë kontrollit të forcave serbe. Data e dytë, 30 Prilli flet mbi rënien e kësaj zone të lirë, një territor i gjerë që shtrihej gati deri në Lupç të Poshtëm.
Në planin e humanizmit, 430 operacione kirurgjike, 2.780 vizita mjekësore, 118 pjesëtarë të angazhuar, flasin të gjitha. S’ka koment që plotëson më tutje”, thotë Tahiri.

Ai tregon se si ky objekt u rinovua me fonde të danezëve dhe si u shkatërrua më pas, por nuk dihet dora e kujt e bëri.

“Në planin e vetëdijes së sotme, çdo gjë që shkruan në këtë tabelë dhe vetë gjendja ku është katandisur objekti, flet për ne dhe relacionin me këtë segment të luftës. Me 30 Prill 1999. Spitali Ushtarak u shkatërrua. Pas luftës u rinovua me fonde daneze. Nuk janë alienët ata që erdhën ta shkatërrojnë sërish”, thotë Tahiri. /B.G./Reporteri.net/

Reklamë