Pavarësisht kundërshtimit të Fitore Pacollit dhe Salih Zybës, Gjykata ka vendosur ta veçojë procedurën penale ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, shkruan Reporteri.net.

Vendimi erdhi meqë Sveçla nuk u paraqit as në seancën e sotme, teksa gjyqtari tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se ndodhet jashtë vendit.

Në kundërshtimin për ndarje të lëndës, Zyba tha se kjo vetëm sa do ta zvarriste procesin.

Reklamë

“E kundërshtojmë. Së pari që shumë muaj është zvarrit procesi, pasi të gjithëve na ngarkon aktakuza me arsye të njejtë”, tha Zyba.

Zyba gjatë seancës ka kërkuar edhe përjashtimin e prokurorit të rastit.

Avokati i Pacollit, Lavdrim Salihu, ka thënë se nuk mund të ndahen rastet.

“E kundërshtojmë për shkak të provave shkresave të lëndës por edhe vetë përshkrimit faktik të aktakuzës nuk mund t’i cilësojmë si raste të ndara duke shtuar faktin se një ndarje e sërishme e lëndës do të rezultonte më vështirësimin e një mbrojtjeje efektive përpara. Konsideroj se për shkak se vepra penale nuk arrin parashkrimin edhe për 8 vite nuk cenohet parimi i efikasitetit të procedurës”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Pacolli tha më pas se pajtohet me avokatin e saj.

“Nuk kam koment, pajtohem me mbrojtësin tim”, deklaroi ajo.

Në këtë rast akuzohet edhe ish-deputetja Drita Millaku./Reporteri.net

Zyba dhe Pacolli kundërshtojnë që të gjykohen ndaras nga Sveçla – deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës në Kuvend

Reklamë