Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas caktimit të datës së shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar shtyrjen e vendimit si një padrejtësi të rëndë pas më shumë se pesë vitesh proces gjyqësor në Hagë.

Gruda ka theksuar se tashmë nuk duhet të ketë më shtyrje të tjera, ndërsa ka vlerësuar se trupi gjykues ka një përgjegjësi historike në seancën e 16 shtatorit në orën 10:00.

Sipas tij, ky vendim përfaqëson një mundësi për të korrigjuar, siç u shpreh, padrejtësitë që kanë shoqëruar procesin dhe për të dëshmuar respektimin e parimeve të drejtësisë ndërkombëtare.

Reklamë

Ai ka shtuar se një vendim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin do të përbënte, sipas tij, rikthim të besimit në drejtësi dhe triumf të së drejtës mbi vonesat dhe padrejtësitë.

Gruda theksoi se vlerat mbi të cilat ndërtohen demokracitë perëndimore duhet të mbeten më të forta se çdo padrejtësi e pretenduar.