×
  • Lajme
  • Lajme

    GSJP: Mungesa e koordinimit të krerëve të vendit në Berlin, dëmi më i madh për Kosovën

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 15:18

    Mungesa e koordinimit dhe një gjuhe të përbashkët mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, po konsiderohet të jetë shkaktare e një dëmi të madh për Kosovën në Samitin e Berlinit që u mbajt dje. Ndërsa përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në dialog krijon një momentum të ri për Kosovën.


    Kështu u tha të martën gjatë një tryeze të organizuar nga GSJP, ku morën pjesë shefat e grupeve parlamentare nga opozita dhe ai i Nismës nga pozita, ku diskutuan për kahen dhe pritshmëritë nga dialogu Kosovë-Serbi pas takimeve në kuadër të samitit gjermano-francez në Berlin.

    Aty u tha se është mirë që më në fund, Samiti i Berlinit shërbeu për tërheqjen e vërejtjes për dakordancë, ku kritika të shumta u adresuan për presidentin Hashim Thaçi, si figura më jo unifikuese në vend.

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përfaqësimi i Kosovës në këtë samit nuk ishte i denjë dhe serioz, ndërsa e quajti dëshpërues fjalimin e Thaçit në takimin e djeshëm.

    Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se në Samitin e Berlinit, pati mungesë të koordinimit të përfaqësuesve shtetëror, për çështjet jetike të vendit. E ky çakordim mes Thaçit dhe Haradinajt, sipas tij do të ketë pasojat e veta.

    Për takimin e djeshëm në Berlin, Konjufca tha se është një ndër samitet e pakta në botë ku palët mbesin të pakënaqura. Sipas tij, kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte e pakënaqur me presidentin Thaçi, presidenti francez Emanuel Macron i pakënaqur me kryeministrin e Kosovës, ndërsa presidenti Thaçi i pakënaqur me të dy këta.

    “Dëmi më i madh është diskoordinimi i përfaqësimit të shtetit të Kosovës. Kjo do të ketë pasoja shumë të mëdha në shtetndërtimin e Kosovës, për faktin se Kosovës moti nuk i ka ndodhur që me u përfaqësu në takime kaq të larta zyrtare me dy zëra të ndryshëm sa i përket çështjeve jetike të shtetit të Kosovës”, tha Konjufca.

    Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Nisma-s, Billall Sherifi, duke e quajtur presidentin e Kosovës Hashim Thaçi si “peshqeq” tha se duhet që pala kosovare të punojë që nga rendi i ditës të largohet ideja e ndarjes së Kosovës, qoftë përmes shkëmbimit apo korrigjimit.

    Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, u shpreh se në Kosovë po mbizotëron një situatë absurde, pasi kritikat vijnë nga një zë i tretë, i cili nuk është i gatshëm të punojë drejt një konsensusi.

    Ndryshe, Samiti i Berlinit ka zhvilluar punimet gjatë ditës së djeshme, ndërsa nuk ka arritur të dal me një kornizë të qartë.

    Në këtë takim, Kosova është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!