Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se nuk ka asnjë pengesë për miratimin e tij.
Hamza tha se kërkesa e PDK-së është e qartë dhe se çështja e këtij ligji nuk duhet të trajtohet si përkatësi e një partie politike. Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin Albin Kurti lidhur me këtë çështje.
“Jo, ne nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca dhe ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka as vështirësi, asnjë pengesë”, tha Hamza, njofton Klankosova.tv.
Kreu i PDK-së tha se partia e tij ka kërkuar vazhdimisht që ligji të votohet në të dyja leximet.
“Ne kemi folur vazhdimisht, kemi thënë që ligji duhet të votohet në të dyja leximet, duhet të aprovohet. Kjo nuk është çështje që i takon një partie politike. UÇK-ja ka ekzistuar para se të ekzistonte PDK-ja dhe partitë e tjera. Në të gjitha partitë ka ushtarë të UÇK-së. UÇK-ja është derivat i popullit të Kosovës”, tha ai.
Hamza u bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe deputetëve që ta procedojnë çështjen dhe ta votojnë ligjin në lexim të dytë.
“I bëj ftesë Kurtit, Kuvendit dhe Haxhiut që ta thërrasin seancën, të na thërrasin deputetëve dhe ta aprovojmë ligjin në lexim të dytë”, deklaroi Hamza.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Hamza tha se kjo çështje është e ndarë nga miratimi i Ligjit për Specialen dhe se fillimisht duhet të përfundojë procesi i votimit të ligjit.
“Presidenti është e ndarë. Kryhet ligji në lexim të dytë, atëherë vijnë çështjet e tjera”, tha ai.
Hamza u shpreh kundër shkuarjes së vendit në zgjedhje, duke thënë se ekzistojnë mundësi për bashkëpunime të tjera politike.
“Nuk besoj që vendi duhet me shku në zgjedhje. Ka pasur opsione: s’po të pëlqen me PDK-në, bëje me LDK-në. Me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen. Me LDK-në kritere të tjera, me PDK-në kritere të tjera. Është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend”, tha Hamza.
Në fund, kryetari i PDK-së tha se i vjen keq për zhvillimet e fundit politike në vend.