×
  • Lajme
  • Lajme

    Hapësira në Ulpianë e “uzurpuar”, BIK nuk e di kur nis ndërtimi i Xhamisë Qendrore

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 16:22

    E premtuar tash e shtatë vite, Xhamia Qendrore e kryeqytetit duket se ka mbetur në harresë.


    Bashkësia Islame e Kosovës nuk po jep detaje se ku ka ngecur procesi i ndërtimit të kësaj xhamie, ndërkaq Komuna e Prishtinës ka thënë se BIK’u nuk ka kërkuar ende leje për ndërtimin e xhamisë

    BIK’u nuk po tregon kur do të fillojë ndërtimi i kësaj xhamie, por që është e qartë se kjo gjë nuk do të ndodhë në një afat të shkurtër kohor.

    Ndërtimin e kësaj xhamie, do ta financonte Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.

    E për vonesat në ndërtimin e xhamisë, BIK’u pati thënë se përgjigjet që i ka pranuar nga Bashkësia Islame e Turqisë nuk kanë qenë bindëse.

    “Ata ende nuk e kanë sjellë projektin detal. Kemi pasur disa çalime dhe vonesa në këtë aspekt. Kemi kërkuar përgjigje, i kanë ata arsyet e veta, për të cilat, megjithatë nuk janë ndoshta bindëse. Ne kemi insistuar pse kjo vonesë kaq e madhe, por ata i kanë dhënë përgjigjet e veta rreth projektit, jo nuk kemi mundur ta bëjmë, arsye të ndryshme, po them”, pati thënë BIK-u vitin e kaluar.

    Ndërkaq BIK-u tani po thotë se nuk ka çka të deklarojë rreth ndërtimit të xhamisë qendrore.

    “Nuk kam një herë kurrfarë informate”, ka thënë për Express Zëdhënësi i BIK’ut Ahmet Sadriu, ndërkaq i pyetur se kush duhet të japë përgjigje rreth kësaj çështjeje, ai ka thënë se askush s’mund të thotë asgjë.

    Por në Komunën e Prishtinës e kanë konfirmuar për Gazetën Express se BIK’u ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit të xhamisë.

    “Nuk kanë kërku leje për ndërtim ende, e kanë kërku vetëm zgjatjen e afatit për kushtet e ndërtimit”, ka thënë për Express nënkryetari i KP’së, Selim Pacolli.

    E kushtet e ndërtimit BIK’u i ka marrë edhe gjatë vitit të kaluar. Në shtatorin e 2018-ës, BIK’u pati filluar rrethimin e lokacionit në lagjen Dardania ku do të ndërtohet xhamia, procedura këto që bëhen në kuadër të lejes për kushtet e ndërtimit.

    Që nga viti 2012, në parkingun e Telekomit të Kosovës në Prishtinë, është vendosur gurthemeli i Xhamisë Qendrore, për të cilën ka pasur shumë diskutime.

    Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik. Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.

    Kujtojmë se në muajin tetor të vitit të kaluar u vendos një tabelë në vendin ku planifikohet “Xhamia Qendrore”, u pastrua tereni dhe u sollën disa kamionë me zallë. Kjo është e tëra që është “punuar” pas gjashtë muajsh, ndërsa hapësira vazhdon të mbetet e rrethuar dhe nuk dihet kur me të vërtetë do nisin punimet për ndërtimin e xhamisë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!