×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj e konfirmon: Merkel, Makron, Thaçi e Rama e të gjithë më kërkuan heqjen e taksës

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 13:17

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se ka pasur njëfarë presioni nga të gjithë për heqjen ose pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe.


    “Ka pasur një propozim ose kërkesë për pezullim të taksës për një kohë, ka qenë një situatë e rëndë. [Situata e rëndë] është krijuar nga kancelarja Merkel, nga Macroni, kryeministri Rama, presidenti Thaçi… të gjithë kanë qenë të mendimit se është mirë të pezullohet për një kohë që t’i jepet shans dialogut. S’kanë qenë kundër meje, por të një mendimi që t’i japim mundësi investimit të Kancelares Merkel dhe presidentit Macron që të ndodhë pezullimi i taksës”, deklaroi Haradinaj, në KTV, raporton Koha.net.

    Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se ky proces i deritanishëm ka devijuar dhe se taksa është vënë si pasojë se Serbia e ka rrezikuar planin e sigurisë nacionale të vendit.

    “Kemi pasur një proces të dialogut, ai proces i dialogut ka devijuar. Ka krijuar dëme. Taksa është vënë si masë mbrojtëse pasi që Serbia na ka rrezikuar në planin e sigurisë nacionale. Zgjidhja është te marrëveshja për njohje ku përfshihen të gjitha temat tjera”, deklaroi ai.

    Kreu i ekzekutivit kosovar tha se kancelarja gjermane e rikonfirmoi qëndrimin e Gjermanisë se çështja e kufijve nuk duhet të hapet më.

    “Merkeli ishte shumë e qartë, nuk është zgjidhje diskutimi për territore e kufij sepse hap pikëpyetje të mëdha. Gjermania e ka konfirmuar qëndrimin e saj të vazhdueshëm, që nuk lejohet lëvizja me territore, me kufij. Ka qenë edhe dakordim i të gjithëve që s’do të diskutohet më tutje për kufij, por bisedimet do të fokusohen në njohjen reciproke”, u shpreh Haradinaj.

    “Franca s’mund të them se është kundër [idesë për kufij], por nuk shihet një investim për një diskutim për kufij, për territore, nëse asgjë tjetër, është e lokalizuar dhe fokusimi është tek marrëveshja për njohje”, theksoi ai.

    Haradinaj foli edhe për takimin me ambasadorin amerikan në Berlin, ku tha të ketë folur për domosdoshmërinë që SHBA-ja të jetë garantuese e një marrëveshjeje me Serbinë. “Është me interes roli garantues i Amerikës”.

    Për vizat, Haradinaj tha se në qershor pritet një qëndrim më i qartë.

    “Nuk ka refuzim të së drejtës për lëvizje të lirë. Janë në dijeni se Kosova i ka kryer kushtet e veta. E dinë se vendimi është tek ta. Aktualisht janë zgjedhjet për PE, në fund të majit, nuk presim një qëndrim të qartë. Tash do të takoj edhe ministrin e Brendshëm të Gjermanisë. Mendoj që në qershor do të kemi më shumë qartësi se si do të shkojë procesi për vendimin për liberalizim të vizave”, ka deklaruar Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!