Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se mënyra më e mirë për të nderuar mbështetjen amerikane, është ndërtimi i një shteti të denjë për të.

Në ceremoninë e Ambasadës Amerikane për 250-vjetorin e pavarësisë, Haxhiu ka thënë se historia amerikane dhe historia shqiptare janë takuar në disa prej momenteve më vendimtare për lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve.

Haxhiu tha se urimet e Kosovës për Shtetet e Bashkuara vijnë me mirënjohjen e një Republike sovrane, e cila e mban mend se mbështetja amerikane ndihmoi që liria e Kosovës të bëhej e mundur.

Reklamë

“Ne e dimë se mënyra më e mirë për ta nderuar atë mbështetje është ndërtimi i një shteti të denjë për të”, ka deklaruar Haxhiu.

“Këtë miqësi e nderojmë me mirënjohje, me kujtesë dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të denjë për lirinë që fituam. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.