Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se bshkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti në Prishtinë ka mirëpritur ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës.
Ajo përmes një postimi, ka thënë se gjatë takimit i ka falënderuar diplomatët për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në përfaqësim të Kosovës.
“Sonte, mirëpritëm në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt tanë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Në fjalën time i falënderova për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu
Ajo ka thënë se puna e diplomatëve shpesh nuk jep rezultate të menjëhershme dhe kërkon durim, këmbëngulje dhe komunikim të vazhdueshëm.
Postimi i saj i plotë:
Sonte, mirëpritëm në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt tanë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Në fjalën time i falënderova për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës.
Një punë që shpesh nuk shihet menjëherë dhe që kërkon durim, këmbëngulje dhe biseda të shumta para se të kemi një rezultat.
Theksova se, kur interesat dhe aleancat ndryshojnë kaq shpejt, në diplomaci nuk mjafton reagimi i çastit. Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre.
Për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, Kosova ende lidhet me luftën, me shpalljen e pavarësisë apo me lajmin e fundit që kanë parë. Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot.
Shpreha edhe mirënjohjen time për familjet e gjithsecilit, fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë.