×
  • Lajme
  • Lajme

    Hill: Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme edhe pa nënshkrim

    Reporteri
    21 Mars 2023 | 16:57

    Ambasadori i ShbA-së në Beograd, Christopher Hill ka thënë sot se Marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në Ohër është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Hill ka treguar se një nga elementët kyç të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.

    Ambasadori amerikan theksoi se është bërë e qartë se formimi Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjent dhe i rëndësishëm, duke kujtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vitesh nga Kosova, Serbia dhe BE-ja.

    “Nga këndvështrimi i publikut serb, është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj” tha Hill duke shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është e rëndësishëm për t’i ofruar komunitetit serb në Kosovë, siguri dhe të ardhme, shkruan Danas, përcjell Reporteri.net.

    “Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, shtoi Hill.

    I pyetur për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se do të zbatojë aneksin e propozimit evropian deri në vija të kuqe, Hill u përgjigj se Vuçiq ka thënë qartë se çfarë mund të pranojë dhe çfarë jo.

    “Në vend që të flasim për vijat e kuqe, duhet të fokusohemi në faktin se ai e kishte shumë të qartë me BE-në se çfarë mund të bënte, si dhe kur, gjë që mendoj se është mirë. Mendoj se duhet bërë edhe nga ana e Kosovës”, përfundoi hill./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!