×
  • Lajme
  • Lajme

    Hill për orientimin politik të Serbisë kah Lindja: Qytetarët po ju ikin në Perëndim

    Reporteri
    01 Shtator 2022 | 10:23
    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill

    “Nuk e kam asnjë dyshim”, tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, “që Serbia duhet të kthehet kah Perëndimi”, raporton gazeta online “Reporteri.net”.

    Në një intervistë për të përjavshmen serbe “NiN”, Hill tha se orientimin perëndimor Serbia duhet të bëjë “për hir të fëmijëve të tyre, dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre”.

    Por, përveç kësaj, “edhe për të gjitha arsyet tjera të mundshme”.

    “Shumë njerëz të rinj nga Serbia ikin për në Perëndim. Në Lindje nuk e shoh që shkojnë. Prandaj, mendoj se kaq është e qartë se ku dëshiron të shkojë Serbia”.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha ambasadori Hill, Serbinë e konsiderojnë partner dhe mbështesin rrugën evropiane të saj, raportoi e përditshmja serbe “Danas”, transmeton Reporteri.net.

    “Do të doja që Serbinë, mikun dhe partnerin tonë, ta shihja mbase një ditë duke marrë vendim për t’iu bashkuar NATO-s”, tha ambasadori.

    Hill u shpreh se e kupton “barrën që rëndon nga e kaluara”, duke iu referuar ngjarjeve të vitit 1999, ku Serbia u bombardua nga 19 shtete të Aleancës Veri-Atlantike.

    “E di që për Serbinë do të ishte e vështirë të vendoste diçka si kjo [anëtarësimi në NATO], por kjo do të ishte përqendrimi i përpjekjeve të mia për ta afruar Serbinë”.

    Pyetur rreth asaj se Serbia mbetet vendi i vetëm në kontinentin evropian [me përjashtim të Bjellorusisë] Hill u shpreh se Serbia duhet t’i bashkohet vendeve perëndimore.

    “Për mua është e qartë se për Serbinë është çështja e sanksioneve është e ndërlikuar për arsye historike, por ama gjithkush duhet të jetë i qartë rreth asaj çfarë ka bërë Rusia”, tha Hill.

    Serbia ka refuzuar të sanksionojë Rusinë, ndonëse ka votuar një Rezolutë në OKB ku dënon agresionin rus mbi Ukrainën.

    Siç kanë argumentuar politikanët serbë që nga pas 24 shkurti, mos-sanksionimi i Rusisë ka të bëjë me veton ruse në Këshill të Sigurimit ndaj Kosovës, varësia ndaj gazit rus, projeksione për një të kaluar vëllazërore sllavo-ortodokse mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe kundërshtimi i opinionit publik (rreth 80%) ndaj vendosjes së sanksioneve, shkruan Reporteri.net.

    Serbia si vend kandidat për anëtarësim në BE, në negociata për anëtarësim obligohet të bashkërendojë (harmonizojë) politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me unionin evropian, përkatësisht me 27 shtetet e tjera aktuale të unionit.

    Politikën e jashtme, Serbia ende e mban mes Lindjes dhe Perëndimit, si dhe ato të sigurisë i ka, në masën më të madhe të tyre, të bashkërenduara me Rusinë dhe Kinën.

    Një numër ultimatumesh e rezolutash evropiane i janë bërë Serbisë që të del nga ambivalenca e saj dhe të tregojë se cilës anë i përket – botës perëndimore e liridasëhse, apo Lindjes despotike.

    Deri më tani, Serbia është zotuar se nuk do të shkëpusë marrëdhëniet dhe bashkëpunimit në këto fusha kyçe – politikë të jashtme dhe të sigurisë – me Lindjen./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!