×
  • Lajme
  • Lajme / Konferenca për media

    Hovenier: Drafti i Asociacionit plotësisht në përputhje me Kushtetutën, s’ka kompetenca ekzekutive

    Reporteri
    09 Nëntor 2023 | 10:34

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka folur për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor.

    Hovenier e përsëriti se ky draft është përpiluar që të jetë në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Megjithatë, Hovenier tha se është Gjykata Kushtetuese  që do ta thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë draft-statut.

    “Siç e dini drafti u prezantua nga Bashkimi Evropian, me prezencën e SHBA-ve po ashtu, si pjesë e madhe e saj.

    Është konsideruar nga BE-ja dhe po ashtu nga SHBA-ja se është plotësisht në përputhje me Kushtetutën. Më lejoni të ju rikujtoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me kornizën kushtetuese dhe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Ne besojmë se ky draft-statut që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës i përmbush këto kritere dhe është përpiluar që të jetë në përputhje me Kushtetutën. Siç ka thënë edhe kryeministri Kurti në Parlament javën , ky draft do të shkojë në Kushtetuese para se të implementohet”, tha Hovenier ndër të tjera.

    I pyetur nga gazetarja e Gazetës Online Reporteri.net  në lidhje me interpretimet se ky draft ofron një lloj autonomie për serbët në veri, ndonëse ende nuk është bërë publik, H0venier tha se nuk e kupton se si mund të bëhet interpretime të tilla, kur drafti ende nuk është bërë publik.

    “Është një trik mjaft impresiv të bëhen interpretime të tilla nga njerëz që as që e kanë parë draftin. Njerëzit që nuk e kanë parë këtë draft nuk kanë shumë arsye të jenë në gjendje të japin mendime për draft-statutin. Do ta përsëris atë që e thashë më parë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese të Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë nivel shtesë pushteti me kompentenca ekzekutive. Nuk e di si mund të ketë autonomi në këto rrethana. Ne besojmë se ky draft është në përputhje me kriteret që i ceka më lartë. Por, siç e ceka më lartë fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese”, tha Hovenier.

    Hovenier tha se në një kohë më të përshtatshme, dokumenti do të bëhet publike.

    “Nuk ka asgjë sekrete sepse dokumentet e ndjeshme janë të bëra në fshehtësi sepse kjo mundëson marrëveshje dhe gjuhë të përbashkët, ka kohë kur publiku njoftohet. Në një kohë të përshtatshme publiku mund ta shohë. Nëse e lexoni deklaratën e vendeve të BE-së, Franca, Gjermania dhe Italia, përdorin gjuhë urgjente, pra ka një urgjencë, nuk ka arsye pse nuk duhet qeveria të vazhdojë tutje me këtë draft. Kryeministri e ka pranuar”, ka thënë ai. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!