Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, njëra nga gjashtë deputetët e kësaj partie që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se votën e saj nuk ia ka deleguar askujt dhe se mandatin nga qytetarët nuk e ka marrë për të qenë “numër në Kuvend” apo për t’ia zgjatur pushtetin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”, ka shkruar Bajrami.

Reklamë

Ajo ka thënë se është e papranueshme që, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, LDK-ja të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, i zgjat Kurtit pushtetin e përqendruar.

“Për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, ka deklaruar ajo.

Bajrami ka theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por mbi të gjitha për “balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie”.

“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka thënë se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka kundërshtuar idenë që shmangia e tyre të përdoret si arsye për të votuar marrëveshjen për Presidentin.

Reklamë

“Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, janë zhvilluar konsultimet brenda LDK-së, duke pretenduar se emrat e diskutuar për President nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët.

“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, ka deklaruar ajo.

Bajrami ka thënë se deri në fund të angazhimit të saj politik do ta përfaqësojë besimin e qytetarëve dhe do të votojë sipas bindjes së saj dhe interesit të vendit.

Reklamë

“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka shkruar ajo.

Postimin e saj e ka përmbyllur me mesazhin: “Demokraci!”.