Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Lajmi është bërë i ditur nga NPL “Sport Marketing” Sh.A., e cila menaxhon pishinën.

“Ju njoftojmë se, me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, Pishina e Gërmisë do të jetë përkohësisht e mbyllur deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Nga kjo ndërmarrje theksojnë se cilësia e ujit kontrollohet rregullisht dhe se, sipas vlerësimeve të tyre, gjendja në pishinë është e mirë.

“NPL ‘Sport Marketing’ Sh.A. rregullisht kontrollon cilësinë e ujit dhe bën matjen e vlerave përkatëse, në përputhje me standardet dhe procedurat e brendshme të mirëmbajtjes. Gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë është e mirë, si në aspektin e cilësisë së ujit, ashtu edhe të ambienteve brenda saj”, thuhet më tej.

Megjithatë, ndërmarrja bën të ditur se do të respektojë procedurat e përcaktuara nga IKSHPK-ja dhe nuk do ta rihapë pishinën pa dalë rezultatet zyrtare.

“Duke marrë parasysh rregullat dhe procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike, si dhe për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj qytetarëve, do të presim rezultatet zyrtare nga Instituti para vazhdimit të punës.”

Në fund të njoftimit, NPL “Sport Marketing” thekson se prioritet mbetet siguria dhe shëndeti i qytetarëve.

Reklamë

“Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pas përfundimit të procedurave dhe marrjes së rezultateve zyrtare, do t’ju informojmë me kohë për vazhdimin e punës së Pishinës së Gërmisë.”