Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vinçi që u rrëzua sot në një vendpunishte në Prishtinë, ku një 26-vjeçar humbi jetën dhe një 18-vjeçar u lëndua, ishte duke u montuar në momentin e aksidentit.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, vinçi i përket kompanisë “Vëllezërit Asllani” dhe nuk ishte inspektuar më parë, pasi punimet në këtë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.
“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagimin e Inspektoratit.
Inspektorati ka bërë të ditur se zyrtarët e tij kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.
Ndërkohë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit priten edhe ekspertizat përkatëse.