×
  • Lajme
  • Botë

    Nevenka Tromp: Konfliktet i ka parandaluar pragmatizmi kosovar që nga 2008’ta – Perëndimi do të dëgjojë më shumë Beogradin, për ta hequr nga Rusia e Putinit

    Reporteri
    25 Gusht 2022 | 18:02
    Ekspertja e çështjeve të Ballkanit dhe ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp

    Autor: Xhezair Dashi


    Derisa Serbia dhe shtetet tjera [mosnjohëse] të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, kjo gjendje ‘destabiliteti i pëhershëm’ do të trajtohet si ‘normaliteti i ri’, thotë ekspertja e çështjeve të Ballkanit dhe ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net.

    Tensionet në zonën veriore të Kosovës që nisën në fund të korrikut si rrjedhojë e dy masave të reja të iniciuara nga Qeveria e Kosovës rreth çështjes së targave dhe lejeudhëtimeve me Serbinë, Tromp i sheh brenda asaj që e quan “lojëra të forta manipulative të politikës së Beogradit”.

    Madje, edhe po qe se ndodh, siç thotë ajo, që “kriza e kohëve të fundit qetësohet përmes një qasjeje pragmatike të qeverisë së Kurtit e me ndihmën e ndërmjetësuesve të shteteve të QUINT-it”, prapëseprapë, konsideron ajo, “secila lëvizje tjetër e radhës vetëm sa do ta replikojë krizën”.

    Njohësja e thellë e çështjeve të Ballkanit, studiuesja Tromp, megjithatë në këtë kontekst të ri gjeopolitik pas invazionit rus të Ukrainës, sheh mangësi në qasjen e Perëndimit në raport me Serbinë.

    Në këtë kontekst, ajo Perëndimin e sheh në përpjekjet e tyre për ta larguar Serbinë nga Rusia.

    Dhe kjo, thotë ajo, duke u bërë më të dëgjueshëm karshi kërkesave të Beogradit, e në të njëjtën kohë, duke kërkuar nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, “të jetë më i matur dhe të bëjë kompromise”.

    “Perëndimi do të jetë në gjendje më shumë të dëgjojë kërkesat e Beogradit në mënyrë që Serbinë ta mbajë larg nga Rusia e Putinit. Serbia sigurisht se do të kërkojë diçka të madhe nga Perëndimi për t’i qëndruar larg Moskës”, tha ajo për Gazetën Online Reporteri.net.

    “Perëndimi në këtë mënyrë do të provojë të zgjidh krizën e kohëve të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës duke bindur qeverinë e Kurtit të jetë më e matur dhe të bëjë kompromise”.

    Në dritë të kësaj, Tromp bashkëfajtor e bashkëpërgjegjës për situatën e tashme mes Kosovës dhe Serbisë, e sheh edhe Bashkimin Evropian.

    “Të fajësosh vetëm Beogradin e Prishtinës”, thotë ajo, “s’të mbush fort mendjen”.

    “Si është e mundur”, pyet ajo, “që pas aq shumë koncesionesh që i janë bërë Serbisë që nga fillimi i dialogut të Brukselit që nisi pas pavarësisë së Kosovës më 2008, dhe pavarësisht politikave ‘të të marrit me të mirë’ Serbinë, BE nuk ia doli me sukses të bind ose t’i bëjë presion Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet në territorin e plotë të saj”.

    Arsyeja se pse nuk ka pasur përshkallëzime dhe konflikte që nga 2008 e deri më sot, thotë Nevenka Tromp, është pragmatizmi i qeverive pasuese që nga 2008’a e këndejmi.

    Ky pragmatizëm i kosovarëve, thotë ajo, “përkthehet në gatishmërinë e tyre të bëjnë koncesione kur e kërkon rasti”.

    “Këtë unë e shoh si manifestim të qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës që t’i përkasin civilizimit evropian. I takon Perëndimit ta kuptojë dhe ta valorizojë politikën konstruktive drejt Kosovës si shtet pa i shtypur këmbët tek frerat tërë kohë”.

    Dhe kjo, thotë ajo, jo vetëm e vetëm që “ta mbajnë Serbinë qetësisht, apetitet politike të së cilës rriten pas secilit koncesionet, e që Perëndimi ua pranon”.

    Intervista e plotë e Nevenka Tromp dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    Reporteri.net: Ka pasur rrezik për përshkallëzim të situatës në pjesën veriore të Kosovës për shkak të masave të reja të ndërmarra nga qeveria kosovare. Presidenti serb drejtuar serbëve, këtë ua paraqet si një ‘Stuhi’ të re që po përgatiet kundër serbëve, derisa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rrezikun e paraqet si real. Cili është vlerësimi i juaj rreth kësaj? A po shkojnë Kosova dhe Serbia në këso drejtimesh?

    Nevenka Tromp: Fakti se nuk ka njohje të Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia – dhe shumë shtete tjera – i kontribuon shumë destabilitetit në rajon. Kjo në realitet do të thotë se cilido vendim që mirret nga administrata e Kosovës për të rregulluar çështjet si pikëkalimet kufitare ose regjistrimin e veturave me targa – siç ishte rasti në korrik të këtij viti – ka potencial për të destabilizuar ‘status quo’-n e pasigurtë. Pse është kështu? Në rend të parë ngase cilado lëvizje para nga administrata e Kosovës për të rregulluar çështje të interesit të përgjithshëm publik do të abuzohet nga Beogradi për të ngritur çështjet e ndikimit të masave të Prishtinës mbi serbët e Kosovës, derisa, në fakt, Beogradi kurdo që i jepet mundësia e thekson se serbët që jetojnë në Veri – në zonat e Asociacionit të komunave serbe – nuk duhet të qeverisen nga Prishtina.

    Për Prishtinën çështjet e këtilla të rregullimit të pikëkalimeve kufitare dhe regjistrimi i veturave janë të nevojshme për të përmirësuar proceset qeverisëse që për qëllim kanë ta bëjnë Kosovën shtet funksional. Për Serbinë, çfarëdo vendimi i marrë nga Prishtina do të manipulohet nga lojërat politike të forta të Beogradit, që do të thotë, të theksojë se Kosova është territorialisht e ndarë dhe se Veriu i Kosovës nuk futet brenda institucioneve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të Kosovës. Edhe nëse kjo krizë e kohëve të fundit qetësohet përmes një qasje pragmatike të qeverisë së Kurtit e me ndihmën e ndërmjetësuesve të shteteve të QUINT-it, secila lëvizje tjetër e radhës vetëm sa do ta replikojë krizën. Derisa Serbia dhe shtetet tjera të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, kjo gjendje ‘destabiliteti permanent’ do të trajtohet si ‘normaliteti i ri’.

    Reporteri.net: Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, i priti në Bruksel krerët e shteteve më 18 gusht. Çfarë do të thotë ky takim, kur e dimë se Kurti do të vazhdojë kursin e tij të reciprocitet, të cilën Serbia e mohon a priori?

    Nevenka Tromp: Nuk ka dyshim se NATO, BE dhe pushtetarët e ShBA-së e shohin çështjen e Kosovës si zonë të një përshkallëzimi potencial që mund të kërkojë prezencë më të gjallë politike dhe ushtarake. Është për t’u pikëlluar se si së pari një katastrofë si lufta në Ukrainë u desh të ndodhte që Perëndimi të kthehej në Ballkan si zonë interesi strategjik tejet me rëndësi për sigurinë e Evropës dhe botës. Kjo gjithashtu do të thotë se Perëndimi do të jetë në gjendje më shumë të dëgjojë kërkesat e Beogradit në mënyrë që Serbinë ta mbajë larg nga Rusia e Putinit. Serbia sigurisht se do të kërkojë diçka të madhe nga Perëndimi për t’i qëndruar larg Moskës.

    Perëndimi në këtë mënyrë do të provojë të zgjidh krizën e kohëve të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës duke bindur qeverinë e Kurtit të jetë më e matur dhe të bëjë kompromise. Siç ndodh gjithmonë në negociata dhe ndërmjetësime politike, Perëndimi do të bëjë apel te pala ‘e arsyeshme’ për të parandaluar eskalimin në Kosovë. Pres që qeveria e Kurtit do të pajtohet të bëjë koncesione ndaj Beogradit nën ndërmjetësimin e Perëndimit. Është e vetmja lëvizje pragmatike për të vazhduar tutje ngase do të ishte e dëmshme për të ardhmen e Kosovës të humbiste mbështetjen e Perëndimit, do të thotë, të NATO-s, BE-së, MB-së dhe ShBA-së.

    Reporteri.net: BE dënoi retorikën e luftës dhe u deklarua se në rast konflikti liderët do të mbahen përgjegjës. A është BE e aftë të frenojë eskalime, dhe si?

    Nevenka Tromp: BE ka qenë e përfshirë në qeverisjen e Kosovës që nga 1999’a dhe është bashkëpërgjegjëse për gjendjen e tanishme në Kosovë. Kosova ka qenë nën protektorat ndërkombëtar për gati 23 vite dhe të fajësosh vetëm Beogradin dhe Prishtinës për eskalim s’të mbushet fort mendja. Nëse do të vinte deri në eskalim dhune – që s’besoj se mund të ndodh – do të ishte përgjegjësi edhe e BE-së. Pse? Si është e mundur që pas aq shumë koncesionesh që i janë bërë Serbisë që nga fillimi i dialogut të Brukselit që nisi pavarësisë së Kosovës më 2008, dhe pavarësisht politikave ‘të të marrit me të mirë’ Serbinë, BE nuk ia doli me sukses të bind ose t’i bëjë presion Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet në territorin e plotë të saj? Përkundrazi, Beogradi shfrytëzon secilin ndryshim politik – siç është agresioni rus në Ukrainë – të krijojë mjedise pjellore për edhe më shumë koncesione nga Perëndimi.

    Arsyeja se pse nuk ka pasur përshkallëzime të konflikteve në Kosovë që nga 2008’a është pragmatizmi i qeverive pasuese në Prishtinë, që përkthehet në gatishmërinë e tyre të bëjnë koncesione kur këtë e kërkon rasti. Këtë unë e shoh si manifestim të qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës që t’i përkasin civilizimit evropian. I takon Perëndimit ta kuptojë dhe ta valorizojë politikën konstruktive drejt Kosovës si shtet pa ua shtypur këmbët tek frerët tërë kohën, vetëm e vetëm që ta mbajnë Serbinë qetësisht, apetetitet politike të së cilës rriten pas secilit koncesionet, e që Perëndimi ua pranon. S’ka nevojë as të thuhet se një nga koncesionet më të mëdha ka qenë krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës nga Perëndimi për t’i gjykuar krerët e UÇK-së në rolin e tyre për çlirimin e Kosovës nga represioni serb dhe mbërthimi kolonial i tyre.

    Reporteri.net: Dialogu i Brukselit, në pjesën më të madhe të saj, është një tregim që s’prodhon shumë. Kosova kërkon njohje në qendër, Serbia e fshinë atë. Serbia dëshiron Asociacion me kompetenca ekzekutive e në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, të cilën Kosova e fshinë. Çfarë të bëhet me këto qëndrime përjashtuese ndaj njëra-tjetrës?

    Nevenka Tromp: Në kontekstin historik dhe politik, Dialogu i Brukselit ishte absolutisht i nevojshëm dhe qëllim-mirë. Por, pas depërtimit të 2013’tës asgjë s’ndodhi dhe e humbi relevancën si diçka për të lëvizur para. Pas 2013’ës, ajo në thelb u abuzua nga pala serbe për të kërkuar më shumë koncesione nga Perëndimi të cilat nuk barazoheshin me ndonjë koncesion nga Beograd drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës. Situata e sigurisë në Evropë – dhe botërisht – ndryshoi drastikisht që nga 2014’a dhe dialogut të Brukselit i skadoi koha. Duhen mekanizma të ri dhe vizion më i qartë gjeopolitik i BE-së, dhe që fqinjësia e saj të definohet.

    Në këtë hartë, Ballkani por edhe shtetet e tjera ish-komuniste në kufi me Federatën Ruse, duhet të përfshihen për të krijuar një qasje të përbashkët të politikës së jashtme. Politika e jashtme e BE-së ka qenë reaktive, do të thotë, aktivizohet në plotëni vetëm e vetëm kur një çështje politike bëhet problem sigurie. Ballkani nuk është periferi e Evropës – është pjesë integrale e saj. Një politikë pro-aktive do të nënkuptonte jo vetëm vizion por edhe ashpërsi. Hapi i parë është të shihet se si por edhe nëse BE mund ta bëjë këtë – është të sigurojë se Kosova bëhet shtet i pavarur dhe Brukseli të gjejë mënyra të nis integrimin Euro-Atlantik të saj. Dhe, nëse politikbërësit në Bruksel mendojnë se kjo mund dhe do të ndodhë – të japin një afat kohor për ta arritur atë./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!