×
  • Lajme
  • Lajme

    Adnan Merovci: Thaçi më 1990 ka shprehur dëshirën për të punuar në shërbimin e Rugovës

    Reporteri
    19 Mars 2019 | 21:09

    Adnan Merovci, ish-shefi i protokollit dhe truproja i presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa ka treguar disa nga prapaskenat e organizimit të Konferencës së Rambujesë ka thënë se Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e sigurimit të Rugovës.


    “Thaçi ka shprehur pretendim për të punuar në shërbimin e Rugovës në vitin 1990. I kanë thënë për këtë duhet të flasësh me Adnanin, dhe ai nuk ka folur kurrë me mua. Ekzistojnë faktet që ai ka shprehur interesim të punojë në shërbimin e Rugovës”, tha Merovci.

    Autori i librit “Kështjella e (mos) marrëveshjes”, ka thënë se me insistimin e tij Rugova kishte shkuar në Rambuje me një aeroplanë bashkë me Jakup Krasniqin, Ramë Bujën dhe Azem Sylën.

    “Duke pasur parasysh se Rama e Jakupi vetëm disa muaj më parë ishin larguar nga LDK, po i them Ramës [që sapo ka hyrë në aeroplan ku ishte Ibrahim Rugova]: ‘Ramë mirë se erdhe se këtu e ke edhe Komandantin’, duke aluduar në Rugovën për ta relaksuar dhe thyer akullin. Kanë filluar të qeshin dhe ka qenë një atmosferë e durueshme. Nuk ka pasur ndonjë dashni e madhe megjithatë…”, ka deklaruar Merovci në Dukagjin, transmeton Telegrafi.

    Merovci thotë se Thaçi në atë kohë bashkë më Xhavit Halitin kishin udhëtuar nga Tirana.

    “Thaçi nuk ka qenë as në hapjen e Konferencës së Rambujesë. Pak para se të shpërndaheshim nëpër dhoma të kështjellës, ai i është bashkangjitur delegacionit”.

    Ish shefi i protokollit dhe truproja i presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se ka pasur lobime edhe para mbajtjes së Konferencës që Thaçi të jetë kryesues i delegacionit të Kosovës.

    “Thaçi ka qenë korrekt me Rugovën kur ka ardhur në Rambuje. Në Rambuje ka qenë takimi i tyre i parë pas shumë vitesh”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!