×
Intervista

Jeffrey Hovenier: Kosova është në krizë, jam i shqetësuar për 21 nëntorin, me urgjencë të kemi një propozim për Asociacionin

Reporteri
09 Nëntor 2022 | 20:01

Bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duhet të fillojnë urgjentisht. Asociacioni, sipas tij, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, derisa thotë se ShBA’të asnjëherë nuk e kanë mbështetur e as nuk do të mbështesin një aranzhim sikur ‘Republika Srpska’.

Jeffrey Hovenier, në një intervistë të realizuar njëkohësisht me disa gazetarë, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku ka qenë edhe drejtori i gazetës online Reporteri.net, Bekim Kabashi, ka ripërsëritur kërkesën e ShBA’së për shtyrje të afatit për targat.

Ai ka folur edhe për situatën e tensionuar në veri, pas daljes së serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës, dhe ka shprehur frikën se situata mund të përshkallëzohet edhe më shumë, nëse Kosova nuk ndërmerr hapa siç edhe ka kërkuar Departamenti Amerikan i Shtetit.

I ka komentuar edhe marrëdhëniet e SHBA’së me Qeverinë Kurti, dhe u ka kërkuar ministrave të tij që të mos udhëtojnë në SHBA gjatë kësaj periudhe, pasi, sipas Hovenier, duhet fokusuar te kriza në vend.

Lexojeni të plotë intervistën me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, Gazetën Insajderi, Gazetën Metro, Evropën e Lirë, Telegrafin dhe Kossev:  

Dua t’ju tregoj se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin ngjarjet aktuale dhe se çfarë është ajo që ne po kërkojmë dhe po sugjerojmë. E para gjë që do të thosha, është se nuk do të them diçka që është e re. Këto i keni dëgjuar nga autoritetet e Uashingtonit hiç më larg se dje, nga zëdhënësi i DASh si dhe ndihmës sekretarja Karen Donfried, dhe disa prej këtyre gjërave i keni dëgjuar po ashtu edhe nga vetë unë. Prandaj, është mirë, si të themi, t’i vendosin në një paketë të plotë.

Pra, njëra pikë është se ne vlerësojmë dhe besojmë se largimi i serbëve të Kosovës nga institucionet nuk është zgjidhje për kontestimet aktuale dhe ne jemi të shqetësuar se kjo ka potencial që edhe të shkaktojë edhe përshkallëzime të mëtejshme në terren. Kosova është më e fuqishme dhe më e mirë kur të gjitha komunitetet e saj janë të përfaqësuara në institucionet qeveritare; dhe ShBA me partnerët e saj kanë punuar me shumë mund që me njerëzit e Kosovës ta arrijmë këtë. Ne mendojmë se kjo është prioritet i njëmendtë dhe jemi të shqetësuar për situatën e tashme dhe mundësinë që ajo të përshkallëzohet në mundësi për dhunë, dhe natyrisht edhe ndikimin që situata e tanishme mund të ketë në funksionimin e shtetit të Kosovës. Diçka që mendoj se të gjithë e kemi prioritet të përbashkët. Pra, ka pasur disa gjëra specifike që i kemi kërkuar qeverisë që të bëjë. E para është që ne duam që të gjitha palët të ulin tensionet dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë, dhe ne besojmë që edhe Prishtina edhe Beogradi kanë rol të rëndësishëm në reduktimin e tensioneve dhe të forcojnë paqen dhe stabilitetin.

Ne besojmë që është e rëndësishme që edhe Qeveria e Kosovës edhe Qeveria e Serbisë të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar në procesin e dialogut. Dhe kjo do të përfshinte, gjë që ne besojmë se tashmë është bërë edhe më urgjente, që me urgjencë të nisin bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo është një kërkesë që ne ua kemi bërë.

Edhe një gjë që s’është e re. Ne nuk i kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës që të themelojë Asociacion që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk është në përputhje me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Këto janë parametra të arsyeshme dhe ne mendojmë se janë edhe parametrat e duhur. Siç edhe e kam thënë disa herë se ne nuk e mbështesim e as nuk do ta mbështesnim një aranzhim sikur “Republika Srpska”. Por, ka një urgjencë rreth kësaj, dhe kjo është një diçka e cila është identifikuar nga komuniteti [serb] si i rëndësishëm për ta, që ata të ndjehen se po marrin pjesë në një mënyrë që për ta është e rehatshme dhe e pranueshme, që të kenë zërat e tyre të dëgjohen dhe të drejtat e tyre plotësisht të mbrojtura. Dhe këtë gjë kemi qenë duke ua kërkuar qeverive të ndryshme të Kosovës për ta zbatuar. Dhe siç thash, tashmë kjo e ka marrë një urgjencë të rinuar.

Edhe një gjë tjetër që po kërkojmë dhe që s’është e re. Ne jemi të shqetësuar rreth afatit kohor dhe procesit të zbatimit të vendimit qeveritar për targat. Ne besojmë që duhet shtyrje të plotë, ne nuk po kërkojmë zbatim me faza ose shtyrje të pjesërishme dhe në veçanti jemi të brengosur rreth mundësisë së gjobave ose masave tjera ndëshkuese kur të jenë efektive nga 21 nëntori dhe këto brenga tona ua kemi bërë të qarta Qeverisë së Kosovës.

Po e përsëris edhe njëherë, për ShBA-në nuk është e paarsyeshme që Qeveria e Kosovës kërkon që qytetarët e saj të kenë targa të lëshuara nga Qeveria e Kosovës. Ne në një numër rastesh e kemi pohuar se vendimi dhe procesi është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, por që nga fillimi brenga janë ka qenë mënyra se si kjo do të implementohej dhe unë besoj që, do të thoja, vazhdojmë t’i kemi këto shqetësime dhe do të vazhdojmë të jemi të shqetësuar në këto situata aktuale dhe andaj po i kërkojmë Qeverisë që të mos vazhdojë tutje me këtë plan.

Pra këto gjëra doja t’i thosha rreth asaj se si ne e shohim këtë situatë, dhe që nga tash jam i lumtur të pranoj pyetjet e juaja.

Kemi serbët që janë larguar nga institucionet si policia dhe gjyqësori, dhe p.sh, mua, nuk më duket entuziastë që të kthehen në institucione. Si të gjejmë një mënyrë për t’i bindur këta njerëz të kthehen. Çfarë mund të jetë zgjidhje për këtë situatë.

Hovenier: Është pyetje e shkëlqyeshme, dhe deri diku mendoj se vetëm populli i Kosovës mund t’i përgjigjet kësaj pyetje dhe ata që kanë zgjedhur që më të mos marrin pjesë në këto, për çka edhe thash që edhe ne jemi të brengosur. Çfarë do të thosha është se ne jemi duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës të bëjnë çfarë munden për të dëgjuar komunitetin, të dëgjojnë ato që kanë vendosur të largohen dhe të dëgjojnë atë shqetësime që ato i kanë identifikuar, në mënyrë që ato të ndjehen se mund të kthehen në atë për çka është arritur pajtim, e që është integrimi i komunitetit serb etnik në institucionet qeverisëse dhe është kjo ajo çfarë ne do të dëshironin të shihnim. Ka një zotim nga populli i Kosovës në Ligj dhe Kushtetutë për një shtet multi-etnik në të cilën të gjithë njerëzit mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie dhe të gëzojnë të drejta të barabarta pa u thirrur në etni. Dhe pjesa e komunitetin e cila po shpreh shqetësime dhe frustrim që s’po e shohin këtë plotësisht të realizuar, është shumë e rëndësishme për liderët politikë të dëgjojnë këtë dhe ta adresojnë. Kjo është edhe këshilla jonë për ta.

Pas ngjarjeve në Veri të Kosovës që erdhën nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, cila është sot marrëdhënia e qeverisë amerikane me qeverinë tonë dhe kryeministrin Kurti. Ju i keni shprehur shqetësimet dhe ne kemi lexuar në plotëni komunikatat për shtyp nga DASH, nga zëdhënësi, dhe shohim që situata është serioze, dhe gjithashtu do të donim nëse është mundësia të kemi një deklaratë se si është kjo marrëdhënie dhe se si ambasadori i ShBA’së e sheh këtë.

Hovenier: ShBA ka një partneritet kohëgjatë dhe të qëndrueshëm me të gjithë popullin e Kosovës. ShBA ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e popullit të Kosovës gjatë kohës sa ato përjetonin traumë dhe gjersa ata themelonin shtetin e tyre. Jemi krenar në rolin tonë mbështetës për popullin e Kosovës që të arrijë një shtet sovran dhe të pavarur me institucione funksionale dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë pavarësisht asaj se kush është në pushtet. Përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës është i qëndrueshëm dhe i hekurt. Nuk e di se çfarë mund të them më shumë se sa ajo që është tashmë e regjistruar. Ju vetë iu referuat deklaratave të DASH’it dhe zëdhënësit. Unë edhe vetë e kam bërë të qartë se jam duke i kërkuar kësaj qeverie të bëjnë gjëra që e di se janë të vështira, por që mendojmë se janë të rëndësishme. Mendoj se për atë çfarë kemi thënë gjer më tani e karakterizon situatën aktuale. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se ka qenë në komunikim të rregullt me mua dhe mund t’ua konfirmoj absolutisht se kështu edhe është. Por, ajo se çfarë s’mund t’ua konfirmoj është ajo që qeveria ka bërë atë çfarë ne kemi kërkuar. Këtë po e lë këtu.

Sot mediat kanë raportuar se ministrja jonë e drejtësisë nuk ka mundur të merr vizë amerikane për një vizitë në ShBA. A mund të na jepni përgjigje për këtë?

Hovenier: Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare. Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri.

Pyetja ime është se a ka bërë Qeveria e Kosovës gabim që në rend të parë të mos e shtyjë vendimin për dhjetë muaj dhe a është kthyer gjendja ku ishte para dhjetë viteve me largimin nga institucionet?

Hovenier: Mendoj se do të preferoja të them atë çfarë ShBA është duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës në lidhje me targat e veturave, për të dhënë një shtyrje të plotë, për të dhënë më shumë kohë, që të punohet në këtë çështje për të arritur bashkërisht atë ndaj komunitetit që afektohet drejtpërsëdrejti dhe që ka shprehur shqetësime të tilla ndaj planit aktual për implementim. Më falni cila ishte pjesa e dytë e pyetjes suaj?

A jemi kthyer në gjendjen para dhjetë viteve në Marrëveshjen e Brukselit?

Hovenier: Nuk jam i sigurt se kualifikohem të vlerësoj situatën në Veri. Unë besoj edhe të gjithë qytetarët e Kosovës jemi të shqetësuar për gjendjen në Veri. Kjo shoqëri do të jetë më e fortë kur të gjitha elementet e saj janë marrin pjesë në struktura qeverisëse. Fuqia e Kosovës është multi-etniciteti i saj, mes tjerash. Andaj, ne shpresojmë që komunitetin i etnisë serbe të merr pjesë plotësisht në qeverisje, kemi punuar me shumë mund për ta çuar para këtë, të gjithë ne dhe shpresojmë ta shohim të realizuar.

Dua të pyes nëse vendimet e Qeverisë së Kosovës janë bërë në koordinim me ShBA’në dhe çfarë duhet bërë në këtë situatë, cili është rekomandimi juaj?

Hovenier: Mendoj se rekomandimet tashmë i kam shtruar, kështu që po ua jap tri pikat që i thash më herët. Së pari, ne besojmë se tërheqja nga komuniteti serb nga institucionet nuk është pjesë e zgjidhjes dhe ka potenciale të zmadhojë tensionet. Për këtë po shpresojmë të jetë e përkohshme dhe presim që ata të kthehen në institucione. Këshilla jonë ndaj qeverisë, siç e thash, është dy-palëshe në këtë krizë të tashme. Njëra, është të ketë shtyrje të plotë për çështjen e targave që të ketë më shumë kohë për ndërrimin e tyre; të mos shkohet para me masa ndëshkuese që do të thotë gjoba nga 21 nëntori, mendoj se është kërkesë fer. Dhe tjetra është që me urgjencë të nisin negociatat për Asociacionin e cila është identifikuar nga komuniteti si dhe nga Beogradi, si një çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme. Besojmë se kjo është obligim, i nënshkruar në Procesin e Brukselit, i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që siguron parametrat që përmenda, që të ketë Asociacion i cili do të adresonte këtë shqetësim dhe besojmë se duhet të ketë një propozim për Asociacion në tryezë për t’u diskutuar. Që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë se dalim nga kjo.

Zoti Kurti ka thënë se do ta pranojë planin franko-gjerman por jo Asociacionin. A është e mundur që me Serbinë të ketë marrëveshje pa Asociacionin?

Tani për tani, jam tejet i përqendruar në krizën që kemi para. Mezi pres kohën që të kthehemi në bisedimet e nivelit strategjik rreth propozimeve për normalizim. Mendoj se s’do të ishte gjë e duhur për mua që të flas për përmbajtjen e çfarëdo propozimi që Miroslav Lajçak apo të tjerët kanë vendosur në tryezë. E tërë poenta e komunikimit të ndjeshëm diplomatik është që ato të mbesim të ndjeshme derisa qeveritë merren me gjërat e ndërlikuara. Besoj se edhe Beogradi e ka bërë të qartë se edhe ata e prioritizojnë Asociacionin si pjesë të pakos për atë se çfarë diskutohet në procesin e dialogut. Qëndrimi i qeverisë amerikane nuk ka ndryshuar. Ne gjithashtu besojmë se zotimi i qeverisë kosovare për Asociacionin duhet të përmbushet.

Kurti dhe Partia e tij dje e bëri të qartë përmes një ribotimi të një videoje të vitit 2007 ku Asociacioni thuhet të jetë kancer për Kosovën dhe Kosovën e kthen në një lloj Bosnje me një “Republikë Sprksa” dhe se në anën tjetër ShBA po i kërkon Kosovës të shtyjë vendimit për targat. A po konsideroni ju që t’i kërkoni Beogradit të shtyjë kërkesën për Asociacion?

Hovenier: Nuk do ta pranoja këtë simetri. Mendoj se është një ekuivalencë false. Ne po i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të shtyjë veprimin për zbatimin e vendimit sepse mendojmë se nevojitet më shumë kohë të nxjerrë ndërrimin e targave. Nuk po e sfidojmë legjitimitetin e nevojës afatgjate për të hequr targat e lëshuara nga Serbia. Asociacioni ka qenë në tryezë që nga viti 2013 në pakon e Brukselit. Në Gjykatë Kushtetuese shkoi në vitin 2015 dhe tani jemi në vitin 2022. Prandaj edhe nuk mendojmë se është e paarsyeshme të presim nga Qeveria e Kosovës që të përmbushë zotimet që ka bërë për të vendosur diçka para. Dhe, në përgjigje të shqetësimit specifik tuajit për një aranzhim si “Republika Srpska” edhe ne pajtohemi rreth kësaj. Pajtohemi me shumë njerëz që kanë shprehur këtë brengë. Ajo s’është as duhur e as e dëshiruar në lidhje me atë se si ky Asociacion do të funksiononte në Kosovë. Vendimi i Gjykatës suaj Kushtetuese siguron disa parametra që do të siguronte që të mos ishte ashtu. Ka shumë mënyra se si Qeveria e Kosovës do të përmbushte këtë obligim në të cilin është futur. Dhe e cila do të shmangte këtë situatë sikur të “Republika Srpska”-s. Dhe mezi presim që Qeveria e Kosovës të vendos disa propozime në tavolinë me një urgjencë që ta arrijmë pikërisht këtë.

Ju kishit rol të rëndësishëm në korrik të këtij viti dhe ju ishin në gjendje ta zgjidhnit krizën. A jeni në ndonjë mënyrë i përfshirë në zgjidhjen e krizës së tashme në ndonjë bisedim specifik. A mund të na jepni ndonjë detal se çfarë është qasja juaj në këtë?

Hovenier: ShBA dhe miqtë tjerë të Kosovë ne në aktivisht jemi të angazhuar në nivele të ndryshme, duke provuar të ulim tensionet dhe të krijojmë kushte që sjellin një shtet më funksional, shërbime më të mira për qytetarët, që qytetarët pavarësisht etnike të dëgjohen dhe që shqetësimet e tyre të adresohen dhe kjo është prioritet shumë i lartë. Dhe, po, kam qenë i angazhuar në takime të shumta me zyrtarë të nivelit të lartë, ka pasur edhe komunikime të kolegëve të mi me zyrtarë të lartë shtetit, ka komunikime ndërmjet kryeqyteteve, edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Edhe sot isha në Mitrovicë të Veriut dhe takova përfaqësues të shoqërisë civile për të dëgjuar prej tyre drejtpërsëdrejti, që të sigurohesha vetë të kuptoj shqetësimet e tyre dhe se si i shohin gjërat. Dhe punën që bëjmë dhe këshillat që i japim qeverisë kosovare për të provuar që situatën e vështirë për të cilën jemi të shqetësuar ta vendosim në një vend më të mirë. Nuk e di në do të ishte e duhur të futemi në specifikat përveç këtyre që tanimë i shtrova për juve këtë qartë, mesazhet që unë dhe kolegët e mi amerikanë dhe të ambasadave tjera perëndimore u kemi dërguar.

Për këtë do të thosha se ju e dini po aq mirë sa e di edhe unë rreth asaj se si qeveria po i përgjigjet kërkesave në këtë moment. Por, unë jam diplomat që do të thotë se unë gjithmonë kërkoj për rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë rrugë para që është në interes të të gjithëve të përfshirë dhe të sigurojmë paqe dhe siguri. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!