Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se Juniku do të bëhet me sallë të re sportive, projekt i cili do të realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Shehu njoftoi se gjatë ditës ka pritur në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, me të cilin ka diskutuar për projektet lokale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Junik Ministrin e Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri me ekipin e tij. Diskutuam për ecurinë e projekteve tona lokale dhe thelluam bashkëpunimin për t’i dhënë rrugë një kërkese të kahmotshme të rinisë sonë: projektit për ‘Ndërtimin e sallës së sporteve në Junik’”, ka shkruar Shehu.
Sipas tij, investimi për ndërtimin e sallës sportive arrin vlerën prej 399 mijë e 600 eurosh dhe do të financohet bashkërisht nga Komuna e Junikut dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Ky investim kapital kap vlerën e 399,600.00 eurove dhe do të bashkëfinancohet mes Komunës sonë dhe Ministrisë. Një projekt strategjik dhe tepër i rëndësishëm për rininë, sportistët dhe të gjithë qytetarët e Junikut”, ka theksuar ai.
Shehu ka falënderuar Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për mbështetjen, duke shtuar se projektet në interes të qytetarëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Falënderues ndaj Ministrisë për mbështetjen e vazhdueshme. Vazhdojmë me punë të mbara!”, është shprehur kryetari i Junikut.