Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu të premten në një konferencë për media njoftoi se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet më 6 gusht, në ora 10:00. Haxhiu bëri thirrje që partitë politike të vazhdojnë dialogun për formimin e insitucioneve.
Haxhiu në një konferencë për media tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për zgjedhje të reja. Ajo nënvizoi se VV-ja i ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërkaq u bëri thirrje partive parlamentare që të arrijnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Pas caktimit të datës së për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, ka folur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit e tejkalon një parti politike.
“Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit para se të kalojmë te zgjedhja e qeverisë së re dhe dhe më pas edhe e presidentit. Për legjislaturën e re, nevojitet shumica e thjeshtë, ndërka për presidentin së paku në dy raundet e para, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjefhjen e tij e tejkalaon një pari politike. Në këtë frymë dy javë më parë zhvillova takime me krerët e PDK-së dhe PDK-së, ndërkaq shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, tha dje Kurti.
Por çfarë thanë përfaqësuesit e partive?
Pas caktimit të datës për seancën konstituive kanë reaguar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. E para ka kritikuar kryeministrin në detyrë Kurti se më lehtë e ka të bëjë marrëveshje e ndajë pushtet me partitë jo shqiptare, se me ato shqiptare, ndërsa e dyta ka thënë se është momenti për përgjegjësi shtetërore e jo për vija të kuqe, shkruan Reporteri.net.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se tash mbetet të shihet mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë në raport me Listën Serbe.
“Seanca konstituive edhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit edhe me aktet e tjera normative është me goxha karakter formal e solemn. Zgjidhet kryetari e nënkryetarët. Të shohim si do të sillen në raport me Listën Serbe, sepse herën e kaluar ka qenë kinse propozim i komuniteteve jo shumicë, por të gjithë e dimë që ata kanë një dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi Çitaku në Klan Kosova.
Ajo shtoi se pas konstituimit të kuvendit nis faza e re politike dhe vlerësoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mundësi të arrijë marrëveshje me deputetët e tjerë.
“Do të shohim agjendën por pastaj hyjmë në një kalendar të ri. Ka ende kohë Albin Kurti, përveç PDK-së, janë edhe 98 deputetë të tjerë në kuvend me të cilët mund të arrijë marrëveshje”, tha ajo.
Çitaku kritikoi gjithashtu qasjen e Kurtit ndaj ndarjes së pushtetit, duke pretenduar se ai është më i gatshëm të bashkëpunojë me subjektet joshqiptare sesa me partitë shqiptare.
“Është pak e çuditshme se si Albin Kurti nuk e ka problem të ndajë as pushtet, as përgjegjësi me subjektet e tjera joshqiptare. Ka subjekte që kanë vetëm 3 mijë vota dhe janë në Kuvend me një deputet, e ai nuk e ka problem të negociojë me ta e t’u japë ministri. Nuk e ka problem të ndajë pushtet me subjektet joshqiptare, por e ka problem ta ndajë me partitë shqiptare”, u shpreh Çitaku.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pas caktimit të datës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 6 gusht, ka thënë se ky moment kërkon përgjegjësi dhe lidership politik.
Gashi ka thënë se në këtë periudhë LDK duhet ta marrë rolin që, sipas tij, i takon si forcë politike e qendrës së djathtë dhe si bartëse e kulturës shtetformuese.
“Ky është një moment që kërkon përgjegjësi shtetërore, vizion dhe lidership politik”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se partia e tij duhet të qartësojë identitetin politik dhe vlerat mbi të cilat funksionon.
“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në. Duhet ta dimë se çfarë përfaqësojmë, cilat janë vlerat tona dhe çfarë modeli politik u ofrojmë qytetarëve”, është shprehur ai.
Sipas Gashit, LDK duhet të jetë një parti moderne, përfaqësuese dhe meritokratike, ndërsa bashkëpunimet politike duhet të bazohen në interesin e vendit.
“LDK nuk duhet të ndërtojë politikën e saj mbi vija të kuqe apo ekskluzivitete ndaj asnjë partie. Bashkëpunimi duhet të udhëhiqet nga interesi i Kosovës, programi politik, orientimi euroatlantik dhe nevoja për institucione të forta e funksionale”, ka deklaruar deputeti i zgjedhur.
Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një LDK e bashkuar dhe me guxim për të udhëhequr.
“Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, me identitet të qartë, me vetëbesim dhe me guxim për të udhëhequr. Vetëm një LDK e tillë mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta udhëheqë Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit”, ka shkruar Gashi.
LDK aktualisht ka pezulluar bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje të mundshme, pasi janë dorëzuar nënshkrime për nisjen e procedurës për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. /Reporteri.net/.