×
  • Lajme
  • Lajme / "Retorika luftënxitëse"

    Kërcënimi i Serbisë me luftë, Kosova: Vuçiqi do të dalë i dështuar, të dënohet ashpër nga ShBA-ja dhe BE-ja

    Autor:LInda Ibrahimaj
    19 Mars 2024 | 17:50

    Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës kërcënuese dhe retorikës nxitëse të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nëse perëndimi zgjedh Kosovën, “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk është hera e parë që presidenti Vuçiq bën deklarata të tilla duke shfaqur synimin e tij për invazion të Kosovës.

    Tutje, thuhet se ky kërcënim erdhi pikërisht në njëvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, “për të vërtetuar se Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj”.

    “Kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë bën deklarata të ngjashme përmes së cilës shfaq synimin e tij për invazion në Kosovë. Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Si për të vërtetuar që Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj. Serbia vazhdimisht shprehet publikisht që nuk e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Veçanërisht u potencua ky mesazh i rrezikshëm me 26 tetor, pas takimit me krerë shtetesh dhe liderë të BE-së në Bruksel, aty ku dhe përsëri u refuzua nga ana e Vuçiq nënshkrimi i marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Reporteri.net.

    Tutje ata thonë se deklaratat e tilla luftënxitëse duhet të përcillen me vigjilencë e të dënohen ashpër nga komuniteti ndërkomëtar.

    “Edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës. Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluarës që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohën mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, thonë për Reporteri.net nga Qeveria e Kosovës.

    Lidhur me këto deklarata foli sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. E para e shtetit tha se të gjitha përpjekjet e Serbisë që nga vitit 1998-99 e tutje për pushtimin e Kosovës dhe ta kenë territorin e shteti tonë kanë dështuar.

    “Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

    Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e bekuar që populli ynë ka në krah aleatët të cilët veçse kanë deklaruar që do të mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës, e sipas saj ajo që Vuçiqi po e shpërfaq përmes deklaratave të tij është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit.

    “Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës. Kështu që Vuçiqi sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, e kjo është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, ka thënë tutje Osmani.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme, në një paraqitje të tij në një akademi, ka bërë një paralajmërim për Perëndimin, që sipas tij të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se sipas tij ata tashmë kanë marrë mjaftueshëm mësime dhe do të presin” momentin më të mirë të mundshëm për të shfrytëzuar mundësinë”.

    ”Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve, nëse i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë! Por jemi mjaftueshëm të edukuar dhe mjaftueshëm të mençur e trima dhe mjaftueshëm kemi marrë mësime dhe kemi fituar përvoja pas gjithë asaj që na keni bërë 25 vjetët e kaluara që ta presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë”, tha Vuçiq dje./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!