(I përditësuar, 08/06/2026 | 13:03)*  Ende pa u publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme, në LDK kanë filluar pakënaqësitë.

Ka qenë kandidati për deputet Arben Gashi, ai i cili i ka duartrokitur një deklarate të avokatit Ahmet Tahiri, që është familjar i afërt i kandidatit tjetër për deputet, Xhafer Tahiri, shkruan Reporteri.net.

Në këtë deklaratë, ai bën thirrje për ndryshim lidershipi në LDK.

Reklamë

“Kur humbja bëhet traditë, problemi nuk është votuesi. Edhe sa zgjedhje duhet me i humb që me e kuptu këtë? LDK-ja ka nevojë për rrugë të re, jo për arsyetime të vjetra. Për pak dinjitet politik, ece te shpija dhe lësho rrugë atyre që mund ta ringjallin LDK-në”, thuhet në postimin e Tahirit, ku Gashi ka komentuar duke duartrokitur përmes “emoji”-ve të rrjetit social.

*Sqarimi për përditësimin: Ahmet Tahiri, sipas raportimeve të mëhershme në media, përmendet si vëllai i Xhafer Tahirit. Megjithatë, ky i fundit, disa orë pas publikimit të këtij artikulli (të hënën, 08/06/2026), ka telefonuar në redaksinë e mediumit dhe ka kërkuar të largohet artikulli duke pretenduar se avokati Ahmet Tahiri me dokumente zyrtare nuk figuron të jetë vëllai i tij. Si rrjedhojë, Reporteri.net ka përditësuar titullin e këtij artikulli dhe pjesën në tekst ku të apostrofuarit i referohej si është vëllai i tij.