Policia e Kosovës ka konfirmuar për Reporteri.net se po planifikon hapjen e një radioje.

Organet e rendit specifikojnë se janë konsultuar modele të ndryshme përfshirë edhe ajo e Radio KFOR-it.

Po ashtu me hapjen e kësaj radioje synohet promovimi i punës së policisë.

Reklamë

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës vite më parë ka filluar analizimin përmes grupit punues për radio të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka konsultuar edhe partnerë ndërkombëtarë e vendor, përfshirë edhe modelin e radio KFOR-it që funksionon që nga paslufta në Kosovë, si dhe takime me disa radio të ndryshme në Kosovë, për procedurat e funksionimit dhe punës së tyre në transmetim të lajmit/informacionit. Andaj sipas planifikimeve e procedurave të parapara, PK-ja ka bërë analizë për radio të PK- së, me qëllim të promovimit të punës së policisë në komunitet dhe policia me qenë sa më afër qytetarëve për të adresuar shqetësimet e çështjet e sigurisë në bashkësi. Policia e Kosovës, është ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend, andaj ka për qëllim që ta mirëmbajë dhe avancoj besimin dhe transparencën e saj”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Reporteri.net .

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime lidhur me planet për hapjen e Radios së Policisë së Kosovës, duke kërkuar nga mediat dhe gazetarët që ta hulumtojnë këtë çështje, pas përfshirjes në agjendën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) të një kërkese për lejimin e transmetimit eksperimental.

Sipas Kusarit, iniciativa ngre pikëpyetje për pavarësinë editoriale, koston financiare dhe përputhshmërinë me parimet evropiane për lirinë e medias.

Kusari ka paralajmëruar se, nëse KPM-ja e lejon këtë transmetim, duhet të ketë sqarime të qarta për qëllimin e radios, mënyrën e menaxhimit dhe përgjegjësinë editoriale. /Reporteri.net/.

 

Reklamë