Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan nga New York, Gregory Meeks, me të cilin ka diskutuar për Kosovën, Shqipërinë, Luginën e Preshevës dhe politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, AARC bëri të ditur se në takim u diskutua edhe për forcimin e angazhimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Meeks, i cili është anëtar i lartë i pakicës në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, riafirmoi mbështetjen për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Sa i përket Kosovës, sipas njoftimit, kongresmeni theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të forta me SHBA-në dhe mbështetjen për integrimin e saj në institucionet euroatlantike.
“Ai gjithashtu vlerësoi se Serbia duhet ta ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi, duke mbështetur parimin që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të jenë në përputhje me të drejtat që u garantohen serbëve në Kosovë”.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe Gjykatës Speciale në Hagë.
Sipas AARC-së, Meeks shprehu qëndrimin se mënyra e trajtimit të procedurave gjyqësore duhej të ishte rishqyrtuar dhe se duhej t’i kushtohej më shumë vëmendje një rezultati që mund të çonte në lirimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e Grupit të Kongresit për Shqiptarët dhe për rritjen e vëmendjes ndaj çështjeve shqiptare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Po ashtu, u shqyrtua mundësia e organizimit të një delegacioni dypartiak të Kongresit amerikan në Ballkanin Perëndimor. Meeks shprehu interesim për ta njohur më nga afër rajonin, me një vizitë të mundshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Luginën e Preshevës”, njofton AARC.
Kongresmeni amerikan, sipas njoftimit, kujtoi edhe angazhimin e tij personal për Kosovën që nga administrata e Bill Clintonit dhe përpjekjet e presidentit të atëhershëm amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara për të ndalur spastrimin etnik të popullit të Kosovës.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i bordit të AARC-së, Eli Rusi, nënkryetari Tony Marke, sekretari Burim Rexhaj, arkëtari Roland Nezaj dhe anëtarët e bordit Vehbi Bajrami e Agim Jusufi, si dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Share Now