×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett: SHBA veproi për të mbështetur civilët e pambrojtur

    Reporteri
    24 Mars 2019 | 11:50

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe, tha se si një mjet i fundit legjitim për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit ishte ndërhyrja ushtarake, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore, transmeton Reporteri.net

    Ai u ka bërë thirrje të dy Qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të rinovojnë përpjekjet për të ndjekur drejtësinë për viktimat e krimeve të kohës së luftës.

    Kosnett përmes një video-mesazhi ka theksuar Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

    Lexoni më poshtë mesazhin e plotë të Kosnett:

    Njëzet vjet më parë, SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-së intervenuan për të ndaluar një katastrofë humanitare që po shfaqej në Kosovë. Ky përvjetor na nxit të reflektojmë mbi koston njerëzore dhe për dhimbjen që e ndajmë edhe sot.

    Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

    Shtetet e Bashkuara vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Ne vepruam për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në rajon. Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose fetare, e meritojnë të jenë të lirë dhe të sigurt.

    Në këtë përvjetor, kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të larguar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra prej tyre pësuan dëme ose humbën jetën. Ne kujtojmë, dhe ne mbajmë zi për çdo jetë të humbur.

    Trauma fizike dhe psikologjike vazhdon të rëndojë mijëra viktima dhe anëtarë të familjes.

    Sot, përveç reflektimit unë kërkoj veprime. Unë e inkurajoj Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë që të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha nacionaliteteve dhe komuniteteve – të kenë qasje të plotë në informacionin për fatin e atyre që ende mbeten të zhdukur. Dhe unë u bëj thirrje të dy qeverive të rinovojnë përpjekjet për të ndjekur drejtësinë për viktimat e krimeve të kohës së luftës.

    Vetëm përmes përballjes me të kaluarën e tyre, populli i Kosovës dhe Serbisë shpresojnë të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë së bashku në paqe dhe dinjitet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!