×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova do të bëhet me një gjykatë vetëm për çështjet e drejtësisë komerciale

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 16:45

    Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se së shpejti bizneset do të kenë një gjykatë të veten ku do të marrin përgjegjësitë e drejtësisë për lëndët e tyre.


    Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e sektorit privat dhe me ndërmarrës.

    Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se sundimi i ligjit është thelbësor për të mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit, me ç’rast ka paralajmëruar themelimin e një gjykatë të re që do të trajtojë ekskluzivisht temat e drejtësisë komerciale, raporton Reporteri.net.

    Postimi i plotë i Tahirit pa ndërhyrje:

    Nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, mora pjesë në një forum diskutimi me komunitetin e biznesit, qëllimi i të cilit ishte forcimi i dialogut në mes institucioneve dhe sektorit privat të ndërmarrësisë.

    Qëllimi ynë i përbashkët është që t’i kontribuojmë aspiratave për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës, dhe në këtë drejtim nuk mund të lëvizet pa shtruar edhe komponentët e sundimit të ligjit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

    Që nga fillimi i mandatit tim si ministër i Drejtësisë kam shqyrtuar alternativat që i duhen vendit, në mënyrë që sektori i biznesit dhe drejtësia të jenë në raport të drejtë dhe efikas me njëra tjetrën.

    Jam angazhuar dhe jemi afër përmbylljes së dialogut, rekomandimet e të cilit e vendosin në qendër themelimin e një gjykatë të re që do të trajtojë ekskluzivisht temat e drejtësisë komerciale.

    Bizneseve dhe ndërmarrësve tanë e po ashtu edhe investitorëve të huaj ju duhet një adresë unike që me efikasitet do t’i trajtojë lëndët e natyrës komerciale.

    Përpjekjet tona serioze për të ofruar një zgjidhje më të qëndrueshme dhe afatgjatë ndaj kësaj teme, kanë fituar mbështetjen e gjerë të partnerëve tanë zhvillimor, veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me ndihmën e së cilave jemi duke konsoliduar hapat e mëtejmë në këtë drejtim.

    Programi ynë ndaj drejtësisë komerciale, do t’i japë fund vonesave, paqartësive dhe do mundësojnë një ambient biznesor që funksionon ekskluzivisht mbi bazën e parimeve të shtetit të së drejtës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!